Prishtina e gatshme për sfidën me Mornarin

Sporti

Prishtina e gatshme për sfidën me Mornarin

Nga: Kemajl Goca Më: 22 tetor 2014 Në ora: 10:45

KB Sigal Prishtina, kampion në fuqi, është e gatshme për sfidën e sotme kundër Mornarit nga Tivari, në takimin e xhiros së dytë të grupit B në Ligën Ballkanike në basketboll. Bardhekaltrit kanë mbërritur në Tivar dhe janë të mobilizuar për të shënuar edhe fitoren e dytë radhazi. Mornari nuk duket rival i fortë, duke pasur parasysh edhe humbjen e thellë në javën e parë me rezultat 85:66 nga Kozuv i Gjevgjelisë. Ndërkaq, prishtinasit patën startuar me fitore bindëse 85:59 kundër Vllaznisë nga Shkodra dhe paralajmërojnë edhe triumfin e radhës. Mirëpo, trajneri i Sigal Prishtinës, Sabit Haxhiq, konsideron se do të jetë ndeshje mjaft e vështirë por pretendon se do të kthehen me dy pikë të rëndësishme. Ballafaqimi do të luhet sot në orën 18.30 në Tivar, ku pritet edhe të jetë një numër i madh i shikuesve në palestër. “Do të jetë ndeshje shumë e vështirë, dihet se Mornari përveç që është ekip e fortë, ka edhe tifozë të flakët. Sido që të jetë, ne jemi të përgatitur shumë për këtë ndeshje. Po luajmë kundër një ekipe ambicioze, por këtu jemi për t’i fituar dy pikë!”, tha Haxhiqi. Basketbollisti bardhekaltër, Jordan Hulls, tha se janë të përgatitur mirë dhe të gatshëm për përballjen e sotme. Ai premton maksimumin dhe beson e shpreson në fitoren e radhës. “Jam shumë i ngazëllyer që do të luajmë kundër një ekipi të mirë. Kjo na jep neve një rast tjetër për t’u bërë edhe më të mirë. Ne jemi gati për lojën e sotme!”, thotë Hulls. Drejtori i përgjithshëm i klubit, Florian Miftari, flet edhe për ndeshjen miqësore kundër ekipit me renome kroat, Cibona, e cila zhvillohet me 26 nëntor në Prishtinë. Ai e vlerëson shumë të rëndësishme këtë sfidë mbase e quan edhe historike për shtetin tonë. “Pas vizitës së presidentit me përfaqësuesit e vet dhe pas një pritje të mirë nga kroatët, edhe mundem me thënë shumë sportive me 26 nëntor është një ditë historike për basketbollin e Kosovës. Sepse vjen Cibona, një ekip e famshme në rajon por edhe në Evropë, të cilën e kemi pasur në ëndërr. Prandaj, mendoj që me përkrahjen e tifozëve ‘Plisave’ si dhe njerëzve mund të arrijmë fitore”, ka thënë Miftari, i cili paralajmëron se do të bëjnë një pritje të nivelit më të lartë të mundshëm për Cibonën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat