Incidentet, dosja e Shqipërisë mbërrin në UEFA

Sporti

Incidentet, dosja e Shqipërisë mbërrin në UEFA

Më: 21 tetor 2014 Në ora: 21:38

Armand Duka, ka preferuar që të kryesojë personalisht në Zvicër delegacionin e përbërë nga juristë shqiptarë e të huaj që do të mbrojnë cështjen e kombëtares kuqezi.

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ndodhet në Zvicër së bashku me jurist të studiove juridike të huaja dhe shqiptare për të mbrojtur cështjen e kombëtares së Shqipërisë. Lajmi konfirmohet nga Federata Shqiptare e Futbollit që nëpërmjet një komunikate në faqen e saj zyrtare, bëri të ditur se pas një pune intensive 1 javore, në bashkëpunim me ekspertë vendas dhe të huaj, ka dorëzuar këtë të martë në UEFA, të gjithë dokumentacionin për Komisionin e Disiplinës të organizmit kontinental të futbollit, në lidhje me ndërprerjen e ndeshjes Serbi-Shqipëri, në stadiumin Partizan të Beogradit mbrëmjen e 14 tetorit. Duke marrë në konsideratë rëndësinë madhore të cështjes, numri një i futbollit shqiptar, Armand Duka, ka preferuar që të kryesojë personalisht në Zvicër delegacionin e përbërë nga juristë shqiptarë e të huaj që do të mbrojnë cështjen e kombëtares kuqezi, që u dhunua që para fillimit të ndeshjes e deri në ndërprerjen e saj në stadiumin “Partizani”, në Beograd, prej koreve rraciste, sendeve të forta, fishekzjarreve, grushtave dhe goditjeve të lojtarëve tanë nga tifozë dhe forca të sigurisë të pranishme në impiant.

Takimi i pambyllur zyrtarisht, i ndërprerë pas minutës 41 të ndeshjes, është bërë objekt i Komisioneve të Uefa-s. në komunikate bëhet e ditur gjithashtu se dy studio ligjore ndërkombëtare, përfshi edhe atë që FSHF ka në dispozicion për të gjithë aktivitetin e saj juridik, do të jenë prezente me materialet e tyre për të mbrojtur të drejtat e FSHF në këtë qëllim. Komunikata përfundon me FSHF që shpreh shpresën e saj se në datën 23 tetor, Komisioni i Disiplinës i UEFA-s, do të gjykojë me objektivitet, atë që ndodhi në fushën e lojës dhe jashtë saj, për shkak të mosmarrjes së masave dhe të një organizimi të pamjaftueshëm të ndeshjes nga ana e vendit organizator.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat