Man. City "harron" të fitojë në Champions League

Sporti

Man. City "harron" të fitojë në Champions League

Më: 21 tetor 2014 Në ora: 20:45

Man. City pas tre ndeshjeve të para e sheh veten në kuotën e vetëm 2 pikëve.

Manchester City nuk di të fitojë në kompeticionet europiane. Skuadra e Manuel Pellegrinit përkeqësoi akoma edhe më tepër situatën e saj në grupin E të Champions League pasi u ndal në një barazim 2-2 përballë Cska së Moskës në Arena Khimiki dhe pas tre ndeshjeve të para e sheh veten në kuotën e vetëm 2 pikëve. Një stadium pa praninë e tifozëve për shkak se rusët janë dënuar nga Uefa favorizonte jo pak Manchester City-in në këtë sfidë. Megjithatë ndeshja nisi më mirë për skuadrën vendase që rrezikoi dy herë në harkun e 10 minutave të para me nigerianin Ahmed Musa dhe serbin Zoran Tosic(7,10).

Por Citiziens arritën të merrnin frenat e lojës në dorë dhe pas minutës së 20-të filluan të impononin ritmin e tyre ndaj formacionit të trajnerit Leonid Slutsky. Në të 29-tën rezultati u zhbllokua. Ishin Edin Dzeko dhe Sergio Aguero ata që përfituan nga një kundërsulm i shpejtë i skuadrës së tyre. Sulmuesi boshnjak gjeti të lirë kolegun e tij të repartit dhe Aguero dërgimin e topit në rrjetë e kishte thjeshtë një lojë fëmijësh. 8 minuta më pas anglezët dyfishuan rezultatin, vetëm se këtë herë ai që shërbeu ishte Aguero ndërsa golin e shënoi James Milner. Por ndryshimi për moskovitët erdhi nga stoli. Në startin e pjesës së dytë trajneri Slutsky hodhi në fushë sulmuesin Doumbia në vend të Aleksei Berezutskit dhe lojtari nga Bregu i Fildishtë ja shpërbleu besimin 43-vjecarit rus. Doumbia fillimisht ngushtoi rezultatin në minutën e 65-të kur u shërbye saktë nga Musa. Ndërkohë në minutën e 85-të sulmuesi afrikan i Cska-së së Moskës arriti të vidhte një 11-metërsh pas një faulli inekzistent të Kolarov ndaj tij. Nga pika e bardhë e penalltisë izraeliti Natcho nuk gaboi duke vendosur baraspeshën. Asgjë për të bërë për Manchester City-in në minutat e fundit pasi në Arena Khimki sfida përfundoi në barazim 2-2 me Citiziens që duhej të kënaqeshin me vetëm 1 pikë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat