Rodgers: Duhet të ndalojmë Ronaldon

Sporti

Rodgers: Duhet të ndalojmë Ronaldon

Më: 21 tetor 2014 Në ora: 20:40

Steven Gerrard rrëfeu një prapaskenë përsa i përket karrierës së tij ndërkohë që dha një mendim edhe për kundërshtarin.

Këtë të Mërkurë Liverpooli do tu rikthehet mbrëmjeve të mëdha të Uefa Champions League. Në Anfield Road të kuqtë do të presin Realin e Madridit me një Cristiano Ronaldo në superformë por Los Blancos nuk do të kenë në dispozicion uellsianin Gareth Bale. I pyetur nëse ka një plan për të ndalur yllin portugez që ka shënuar 15 gola në 7 ndeshjet e tij të fundit trajneri i Liverpoolit Brendan Rodgers u përgjigj në këtë mënyrë.

“ Do të jetë një ndeshje e rëndësishme. Mbrëmjet europiane në Anfield janë shumë të veçanta. Ronaldo? Reali i Madridit ka një grup futbollistësh shumë cilësorë. Është e vërtetë që Ronaldo ka një talent të jashtëzakonshëm, ai gjatë ka këtyre viteve të fundit ka patur progres në karrierën e tij. Përpara ishte një lojtar që më shumë shërbente për shokët dhe herë pas here realizonte ndonjë gol ndërsa tani është kthyer në një goleador që mban në këmbë një ekip të tërë. Problemi jonë qëndron të grupi pasi duhet të funksionojmë të gjithë si skuadër për të ndalur një lojtar si Ronaldo. Përsa i përket Bale ai është një futbollist i klasit Botëror dhe mungesa e tij mund të konsiderohet si një avantazh për ne”.

Dy sfidat radhazi përballë Realit do të jenë përcaktuese për fatin e Liverpoolit në grupin B të Champions League. Sipas Rodgers skuadra e tij nëse arrin të marrë maksimumin nga ndeshjet në shtëpi në përfundim të fazës së grupeve mund të avancojë më tej pa patur asnjë problem.

“ Shpesh thuhet që një klasifikim sa më i mirë sigurohet nëse arrin të marrësh maksimumin nga ndeshjet që luan brenda. Jemi të ndërgjegjshëm që paraqitja jonë ndaj Baselit nuk ishte e mjaftueshme. Skuadra deri tani nuk ka arritur të shfaqë formën e sezonit të kaluar. Unë jam i bindur se nëse tregojmë nivelin tonë më të mirë do ti arrimë pa shumë probleme objektivat që i kemi vendosur vetes”.

I pranishëm me trajnerin Brendan Rodgers në konferencën për shtyp ishte edhe kapiteni Steven Gerrard. Mesfushori anglez rrëfeu një prapaskenë përsa i përket karrierës së tij ndërkohë që dha një mendim edhe për kundërshtarin.

“ Kur një klub si Reali i Madridit interesohet për ty cdo gjë ka hije. Por unë në të shkuarën kam refuzuar në dy raste një ofertë të Realit të Madridit. Dhe e kam bërë dicka të tillë për dy gjëra. E para ka të bëjë me lidhjen shpirtërore që kam me klubin dhe e dyta se nuk kam preferuar të largohem nga Liverpooli që është edhe qyteti im i lindjes. Në lidhje me ndeshjen dua të them që Reali është një ekip shumë i fortë dhe të përballemi me ta do të jetë një sfidë më vete për ne”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat