FSHF ka përgatitur një dosje voluminoze për UEFA-n

Sporti

FSHF ka përgatitur një dosje voluminoze për UEFA-n

Më: 21 tetor 2014 Në ora: 14:00


Federata Shqiptare e Futbollit ka përgatitur një dosje voluminoze për të kërkuar të drejtën e saj në Komisionin e Disiplinës të UEFA-s, i cili do të mblidhet këtë të enjte për të vendosur ndëshkimet që do të merren për trazirat në ndeshjen e 14 tetorit mes Serbisë dhe Shqipërisë. UEFA, në njoftimin e saj të datës 15 tetor, ka bërë të ditur se nuk do të hetojë Serbinë, për kore me karakter diskriminues dhe racist dhe as për ndërhyrje apo vërshëllimat fyese në momentin e ekzekutimit të himnit kombëtar shqiptar. Për këtë arsye dy prej pikave më të forta, në dosjen me pamje filmike dhe fotografi të përgatitur nga FSHF pritet të jenë, pikërisht vërtetimi i këtyre dy veprimeve nga ana e tifozerive vendase në stadiumin e Beogradit. Materiali i përgatitur nga FSHF, është i disponueshëm në tre gjuhë, në shqip, anglisht dhe gjermanisht, për ta bërë atë sa më të kuptueshëm për anëtarët e Komisionit të Disiplinës, të cilët janë të kombësive të ndryshme. Në dosje, përfshihen pamje të rrugës që ka përshkuar delegacioni i Kombëtares Shqiptare për në stadium, ku një turmë njerëzish thërrisnin “Kosova është Serbi”, ndërsa në momentin që përfaqësuesja kuqezi hyri në stadium, u dëgjuan dhe koret “Vdekje, vdekje shqiptarëve”. Kjo gjë madje vazhdoi dhe në tunel por dhe gjatë fillimit të takimit e në vazhdimin e tij. Ndërsa në lidhje me fyerjet ndaj Himnit Kombëtar Shqiptar, si provë janë ofruar pamjet e transmetuara në sinjalin ndërkombëtar. Gjithashtu hedhja e sendeve të forta në fushë, si në rastin e minutës së 40-të në drejtim të Balës, apo dhe ndërprerja provizore e mëparshme e takimit nga kryesori Atkinson, janë dy pika të forta me të cilat FSHF pritet të luajë në Komisionin e Disiplinës, për të vërtetuar se droni nuk ishte shkaku kryesor i asaj që ndodhi, por përkundrazi klima agresive dhe aspak miqësore në Stadiumin Partizani, të Beogradit. Gjithashtu do të ofrohen dhe foto të dhunës dhe pasojave të saj ndaj futbollistëve kuqezi apo dhe kontrolli i paprecedentë që i është bërë lojtarëve shqiptarë në dhomat e zhveshjes nga ana e policisë serbë, ku rregullorja parashikon edhe ndalimin e hyrjes së delegatit të ndeshjes. Shqipëria kërkon tre pikët në tavolinë nga kjo përballje dhe provat e faktet e paraqitura nga FSHF, duket se krijojnë terrenin e përshtatshëm për dhënien e një vendimi të tillë nga ana e Komisionit të Disiplinës së UEFA-s, që në fakt habiti me përgjigjen e anëtarit të saj, Rudolf Repka, se nuk kishte pasur asnjë raportim nga ana e delegatit të ndeshjes Been dhe gjyqtarit kryesor Atkinson, për kore me karakter diskriminues nga më shumë se 30 mijë tifozë serbë të pranishëm në stadium.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat