Cana ironizon Platininë: Po sikur të ishin thika…

Sporti

Cana ironizon Platininë: Po sikur të ishin thika…

Më: 21 tetor 2014 Në ora: 11:14

Ka bërë goxha bujë deklarata e një dite më pas e presidentit të UEFA-s, Mishel Platini, dhënë televizionit francez TV1. Pak ditë më parë, ai nuk dënoi ashpër faktin që hynë tifozët në fushë dhe dhunuan futbollistët e Kombëtares së Shqipërisë, por nisi të aludonte për dronin që mbante thjesht një flamur. “Po sikur droni të kishte bombë?!”, ka thënë ai, duke lënë për të dëshiruar, pasi nuk dënoi dhunën dhe racizmin flagrant. Kundër tij, përveç një numri të madh personalitetesh të futbollit, ka dalë edhe kapiteni i Shqipërisë, Lorik Cana. Në një intervistë dhënë francezes “L’equipe”, Loriku ka lëshuar në formë ironie dhe batute një deklaratë, e cila, ndonëse nuk përmendte fare Platininë, dukej qartë se i adresohej këtij të fundit. “Është një mrekulli që pati vetëm 6-7 të plagosur nga tanët, me goditjet që morëm në fytyrë, në qafë dhe kurriz. Nëse do të kishit mundësi të shikonit dëmtimet që kanë marrë disa nga ne në atë ndeshje…. Mendoni pak sikur në vend të zinxhirëve që mbanin në duar tifozët, të kishin thika?… Jetët tona ishin realisht në rrezik”, ka thënë, ndër të tjera, Cana. Kapiteni i kuqezinjve ishte njëri nga lojtarët që u përlesh me forcat e sigurisë së stadiumit, të cilët në vend që të vinin rregullin në fushën e lojës, duke mos lejuar edhe tifozët serbë që të futeshin brenda, nisën të gjuanin lojtarët shqiptarë, pasi këta të fundit i dolën për zot flamurit të Shqipërisë etnike me mbishkrimin “authoktonus”. Për këtë gjë, këta lojtarë, përfshi Canën, mund të dënohen nga UEFA.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat