Garcia nuk druhet nga Bayerni i Shaqirit!

Sporti

Garcia nuk druhet nga Bayerni i Shaqirit!

Më: 20 tetor 2014 Në ora: 19:33

Skuadra e Romës planifikon ta mposhtë kampionin gjerman, Bayernin nga Munihu, në takimin që luhet në stadiumin “Olympico”. Futbollistët romak shpresojnë se do të dalin me rezultat pozitiv, duke e parë edhe formën e mirë që po kalojnë edhe në Serie A. Roma mban vendin e dytë me 4 pikë ose dy më pak se Bayerni, e cila kryeson grupin E në Champions League. Përballja që zhvillohet nesër në orën 20.45 pritet me interesim të madh, por bavarezët që kanë në mesin e tyre edhe yllin nga Kosova, Xherdan Shaqiri, udhëtojnë për fitoren e tretë radhazi. Rudi Garcia, trajner i Romës, është rikthyer në majën e futbollit kontinental duke tërhequr vëmendjen për shkak të stilit agresiv dhe fitues që imponon në fushën e lojës. “Vazhdojmë të jemi skuadra jo pretendente në këtë grup. Ndaj Bayernit do të jetë një ndeshje e madhe me stadiumin ‘Olimpico’. Ne duhet të tregohemi të zotët për të shfrytëzuar rastet që do të krijojmë. Jemi një skuadër simpatike që luajmë futboll entuziast, prandaj të tillë duhet të shfaqemi edhe në këtë sfidë. Nuk kemi asgjë për të humbur”, tha Garcia. Ai më tutje flet edhe për trajnerin e rivalit, Pep Guardiola. “Ai pranoi një sfidë të re dhe të vështirë te Bayerni dhe tregoi se është një nga trajnerët më të mëdhenj në qarkullim sepse Barcelona nuk fitonte vetëm për lojtarët që kishte në përbërje”, thotë ai. Sulmi i Romës është i frikshëm por nga ana tjetër, Bayerni nuk pëson gol që prej dy muajsh. “I respektojmë të gjithë kundërshtarët por nuk duhet të kemi frikë nga asnjë. Do të përballemi me një skuadër të madhe por edhe ne kemi lojtarë që dëshirojnë të lenë shenjën e tyre pasi do të kenë edhe mbështetjen e 70 mijë tifozëve. Objektivi jonë është që të dalim kundër parashikimeve se mund të eliminoheshim që në grup”, theksoi Garcia.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat