Costa: Jam gati si për Chelsean dhe për Spanjën

Sporti

Costa: Jam gati si për Chelsean dhe për Spanjën

Më: 1 tetor 2014 Në ora: 21:53

Mourihno është shprehur gjithashtu se Diego nuk mund të luajë 2 ndeshje në javë.

Diego Costa nuk beson se do të ketë një përplasje në distancë mes Jose Mourinhos dhe Vicente Del Bosques për shkak të formës së tij fizike. 26-vjeçari luajti për 90 minuta në transfertën e Champions-it me Sportingun e Lisbonës, edhe pse para këtij takimi trajneri i Chelsea-t ishte shprehur se në stërvitje lojtari i tij nuk mund të bënte asgjë për shkak të shqetësimeve në bicepsin femoral. Mourihno është shprehur gjithashtu se Diego nuk mund të luajë 2 ndeshje në javë, por nga ana tjetër këmbëngul se do ta aktivizojë titullar edhe ndaj Arsenal-it në fundjavë, ndërkohë që Spanja do të luajë dy sfida eliminatore më Sllovakinë dhe Luksemburgun më 9 dhe 12 Tetor.

“Nuk mendoj se do të ndodhë diçka e tillë. Luajta për 90 minuta dhe mendoj se jam Ok. Gjatë javës kam punuar shumë në palestër pasi ndieja shqetësime.”

Ish-sulmuesi i Atleticos së Madridit, u bë shkak i përplasjeve mes Konfederatës të Futbollit Brazilian dhe Federatës Spanjolle të Futbollit për shkak të vendimit të tij për të luajtur me La Rojan, edhe pse më parë ishte aktivizuar në dy takime me Selecaon, një temë kjo që tashmë i përket së shkuarës.

“Mjaft kam dëgjuar për këtë çështje, tani duhet të më lini të qetë që t’i bëj gjërat si duhet me përfaqësuesen e Spanjës. Kjo është ajo që kam më shumë nevojë, të jem në formën e duhur për të ndihmuar La Rojan.”

Diego Costa e ka nisur në mënyrë të shkëlqyer karrierën te Chelsea, duke shënuar 8 gola në vetëm 6 ndeshje në Premier League.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat