Arsenal, 889 dëmtime në 12 vjet

Sporti

Arsenal, 889 dëmtime në 12 vjet

Më: 1 tetor 2014 Në ora: 21:47

Arsenali është ekipi më i persekutuar në këtë drejtim me plot 889 dëmtime gjithsej.

Klubi londinez i Arsenalit po përballet me një krizë të madhe dëmtimesh dhe në njëfarë mënyre duket sikur në Angli pak a shumë që të gjithë janë mësuar tashmë me një dukuri të tillë. Mbetet enigmë arsyeja nëse kjo vjen për shkak të metodave të stërvitjes, stilit të përzgjedhur të lojës nga veterani francez Arsene Wenger apo dhe ashpërsisë që tregojnë ndaj tyre skuadrat kundërshtare por numrat janë kokëfortë dhe statistikat tregojnë se në 12 vitet e fundit Arsenali është ekipi më i persekutuar në këtë drejtim me plot 889 dëmtime gjithsej. Pra 889 dëmtime që nga gushti i vitit 2002 dhe një shifër e tillë është dukshëm më e lartë krahasuar me rivalët e tjerë në Premier League. Një shifër e tillë nuk është aspak fantazi por gjithçka konfirmohet nga faqja online PhysioRoom.com që evidenton cdo dëmtim dhe përpilon lista të sakta për raste të tilla. Në këtë studim konfirmohet fakti se në të njëjtën periudhë Liverpuli ka patur 551 dëmtime, 338 raste më pak sesa “topcinjtë”.

Numra të tillë tregojnë më së miri dëmtimet e shumta që përjetohen te ky ekip, që në fakt do të ketë probleme të shumta edhe në Champions, në sfidën ndaj Gallatasarajit në Emirates. Dy mesfushorët Mikel Arteta dhe Aaron Ramsey iu janë bashkangjitur në infermieri dy lojtarëve të tjerë Serge Gnabry dhe Theo Walcott. Në dyshim mbetet Jack Wilshere, në mbrojtje do të mungojë dyshja Nacho Monreal – Mathieu Debuchy ndërsa në sulm vazhdojnë të jenë të dëmtuar futbollistë të tillë si Olivier Giroud e Yaya Sanogo. Në vendin e dytë në këtë klasifikim të vecantë për 12 vitet e fundit Manchester United pozicionohet pas Arsenalit me 791 dëmtime, 98 raste më pak se Arsenali, që përkon me 8.16 dëmtime në sezon më pak sesa te klubi londinez, ndërkaq “të kuqtë” e Liverpulit nga gushti i 2002 kanë 28 dëmtime më pak në sezon krahasuar me ekipin e Arsene Ëenger. Klasifikimi evidenton klubin tjetër londinez Tottenham Hotspur në vendin e tretë me 785 lojtarë të dëmtuar dhe një pozicion më poshtë renditet Evertoni me 663. Më pas pozicionohen në vendet 5 dhe 6 Chelsea dhe Manchester City respektivisht me nga 620 dhe 595 raste, ndërsa Liverpuli që kishte 551 dëmtime klasifikohet në vendin e shtatë. Ndër lojtarët e dëmtuar bie në sy Abou Diaby me 40 raste të ndryshme, ndërsa Theo Walcott numëron akoma më shumë 42. Mbetet për t’u parë cfarë do të rezervojë e ardhmja, megjithatë për të evidentuar shkaqet e vërteta të këtyre dëmtimeve dhe njëkohësisht për të përmirësuar gjendjen atletike të futbollistëve drejtuesit e Arsenalit kanë afruar në ekip Shad Forsythe, njeriun që punoi dhe kontribuoi me përfaqësuesen gjermane në fitimin e Botërorit të Brazilit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat