Ancelotti: Në Champions, s’ka ekipe modeste

Sporti

Ancelotti: Në Champions, s’ka ekipe modeste

Më: 30 shtator 2014 Në ora: 21:23

“Besoj se në Champions nuk ka skuadra modeste, por skuadra që luftojnë".

Sfida me kampionen e Bullgarisë, Ludogorets në transfertë, duket thjesht një formalitet për Realin e Madridit, që synon të marrë i vetëm kryesimin e Grupit B. Gjithsesi trajneri Carlo Ancelotti ruan respektin për kundërshtarin, duke kujtuar se në këtë kompeticion nuk ka ekipe modeste.

“Besoj se në Champions nuk ka skuadra modeste, por skuadra që luftojnë. Ludogorets zhvilloi një lojë shumë të mirë në “Anfield” me Liverpoolin, pavarësisht se nuk arriti të merrte pikë. Objektivi ynë është të fitojmë dhe të ngjitemi të vetëm në krye.”

I pyetur nga gazetarët bullgarë, Ancelotti e pranoi se Cristiano Ronaldo është lojtari më i mirë që ka patur nën urdhrat e tij.

“Nuk dua të tregoj mungesë respekti për askënd, por është e vërtetë që Cristiano Ronaldo mbetet lojtari më i mirë që kam stërvitur gjatë karrierës time si trajner. Ai lufton fort për këtë fanellë, është një lider që nuk flet shumë, por jep shembullin për të tjerët”.

Ndaj Ludogorets, Ancelotti pritet të hedhë në fushë një formacion me shumë ndryshime, por trajneri italian nuk jep shumë detaje për 11-shen titullare.

“Nuk po mendoj për një rotacion të programuar. Sigurisht që lojtarët që nuk janë riaftësuar fizikisht do të bëjnë pushim. Dy ndeshjet para të fazës së grupeve janë shunmë të rëndësishme për renditjen përfundimtare.”

Në fund Ancelotti kujtoi se në Bullgari ka shumë tifozë të Realit, ndaj pritja e mrekullueshme që u është bërë Los Blancos nuk është surprizë për të.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat