Simeone: Juventusi, është si një finale për ne!

Sporti

Simeone: Juventusi, është si një finale për ne!

Më: 30 shtator 2014 Në ora: 16:18

Atletico Madridi ka shtrënguar radhët e saja, për faktin se e dinë fortë mirë se kë e kanë përballë në ballafaqimin e nesërm. Ata takohen me kampionin italian, Juventusi, e cila në pesë ndeshje ka pesë fitore dhe goldallimin 10:0 në Serie A. Trajneri i Atletico Madridi, kampion i Spanjës dhe nënkampion i Evropës, tha se sfida me “Zonjën e Vjetër” është si finale për ta. Atletico pas humbjes 3:2 nga Olimpiakosi tash kërkojnë tre pikë të para në grupin A në Champions League. Futbollistët e Atleticos janë të përgatitur maksimalisht para sfidës me italianët. “Ndaj Juventusit është një finale për ne, ashtu siç do të jenë edhe dy sfidat e ardhshme të Ligës së Spanjës kundër Valencisë dhe Espanyolit. Bardhezinjtë gjithmonë kanë qenë një skuadër garuese, ata mund të vënë në vështirësi cilindo kundërshtar pasi janë të shpejtë mbrapa dhe të gjithë futbollistët kanë një teknikë mbresëlënëse. Për të fituar ndaj tyre duhet të shfaqim nivelin tonë më të mirë të mundshëm pasi në të kundërt diçka e tillë është pamundur. Unë kam shumë respekt dhe njëkohësisht shumë admirim për punën dhe për ato që ka arritur Juventusi në vitet e fundit”, tha Simeone duke konfirmuar si titullar portierin Miguel Angel Moya. “Të gjithë janë përgjigjur shumë mirë në ndeshjet e fundit por edhe në seancat stërvitore. Raul Jimenez, Griezmman, Raul Garcia por edhe Cerci. Çdokush prej këtyre futbollistëve mund të jetë partneri i Mario Mandzukic në sulm”, shtoi ai. Simeone tha se edhe Juve ka disa individë shumë të rrezikshëm që duhet pasur kujdes. “Tevez është një lojtar i jashtëzakonshëm. Sa më afër portës të jetë aq më shumë rrezik përcjell. Nuk duhet t’i lëmë atij hapësirat e nevojshme e as kontrollin e topit pasi mund të na ndëshkojë në çdo moment”, thotë Simeone.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat