Petrova i revoltuar në ministri, Besa dy ndeshje në Kroaci!

Sporti

Petrova i revoltuar në ministri, Besa dy ndeshje në Kroaci!

Nga: Kemajl Goca Më: 30 shtator 2014 Në ora: 10:49

Klubi i hendbollit Besa Famiglia nga Peja (meshkujt), kampion dhe fitues i Kupës së Kosovës, dy ndeshjet evropiane do t’i luajë në Kroaci me Nexe! Këtë e konfirmon drejtori i klubin pejan, Enis Idrizi. “Kemi vendosur dy ndeshjet (rrethi i dytë i Kupës së EHF-it) t’i luajmë në fushën e ekipit kroat, Nexe. Kjo vjen si pasojë e mungesës së mjeteve financiare. Nuk kemi mjete nga niveli qendror (nga institucionet e Kosovës) dhe me qëllim të zvogëlimit të shpenzimeve vendosëm t’i zhvillojmë ndeshjet në Kroaci. Ndeshjet do të luhen me 18-19 tetor, megjithëse dëshira jonë ka qenë ta sjellim një ekip të madh në Pejë, siç është Nexe, por është e pamundur për shkaqe financiare. Është dëm i madh për shikuesit e në përgjithësi hendbollin e Kosovës që nuk kanë mundësi të shohin ekipin e Nexe-s, e cila është pjesë e Ligës Ballkanike. Nexe është shumë e fortë, ku para pak ditëve ka humbur me një diferencë të vogël nga Vardari, kjo e fundit është ndër katër a pesë ekipet mëtuese të fitojë Champions Leaguen”, tha Idrizi. “Premtoj lojë të mirë dhe prezantim sa më të dinjitetshëm të hendbolli të Kosovës”, shtoi Idrizi. Nga ana tjetër, kryetari i KHF Kastriotit, Ahmet Hysenaj-Petrova, është i revoltuar në Ministrinë e Sportit të Kosovës dhe në Federatën e Hendbollit të Kosovës. Kastrioti (femrat) me 18 tetor takohet me HC SVKIUVENTA Michalovce nga Sllovakia, në sfidën e parë të rrethit të dytë të Kupës së EHF-it. “Së pari Ministria e Sportit nuk do të na përkrah si vitet e mëparshme. Këtë lajm e kam pritur shumë rëndë! Ne tërë kohën jemi orvatur të sigurojmë mjete financiare për mbarëvajtjen më të mirë në kampionatin vendorë, por pa na shkuar mendja se nuk do të na ndihmojnë për në Sllovaki. Kemi shpresuar se ministria do të heq shpenzimet e rrugës për Sllovaki dhe ato të akomodimit të ekipit sllovak kur zbarkon në qytetin tonë, por mora lajmin e keq, se s’ka para. Jam i revoltuar në ministrinë e sportit por edhe në FHK-në. Nëse FHK e ka ditur këtë punë dhe s’ka treguar, kjo më mllefos edhe më shumë. FHK-ja vetëm po na ‘mjelë’, e cila na ka ngarkuar edhe me kotizim. Derisa ishte Devaja nuk e kishim këtë problem, ndërsa në dy vitet e fundit FHK-ja asgjë nuk po punon. FHK-ja është servil i klubeve dhe duhet të na njoftojë për vendimet e MKRS-së. Na duhen rreth 12 mijë euro për dy ndeshjet. Kemi tri opsione: e para, t’i luajmë dy ndeshje në Sllovaki! E dyta, të heqim dorë nga garat evropiane dhe e treta, të luajmë brenda dhe jashtë shkaku i simpatizuesve”, shpreh mllefin Petrova.

Çfarë thonë nga MKRS-ja?
Zëdhënës i MKRS-së, Shkëlzen Dragaj, sqarojë fije e për pe vendimin e ministrisë. “Ne i kemi ndihmuar në të kaluarën të gjitha klubet që kanë bërë prezantim ndërkombëtarë. Edhe këto dy klube, Besa e Kastrioti, janë ndihmuar për disa aspekte. Por, me anëtarësimin e FHK-së, sikur edhe në çdo shtet tjetër, përgjegjësi e jona është ta mbështesim përfaqësuesen e Kosovës. Në rrethana të tilla klubet do të duhej të ndihmohen nga komunat përkatëse. Ndryshe me memorandum me FHK-në ne kemi ndarë 50 mijë euro për përfaqësuesen tonë në kualifikimet që kanë tash”, tha Dragaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat