Juve në Madrid, Morata ndjen aromën e derbit

Sporti

Juve në Madrid, Morata ndjen aromën e derbit

Më: 30 shtator 2014 Në ora: 00:54

Në një sfidë të vështirë për Zonjën e Vjetër, sulmuesi spanjoll Alvaro Morata hedh kandidaturën për një rol protagonisti.

Juventus zbarkon në Madrid si kryesues i Grupit A në fazën e grupeve të Champions League, për t’u përballur me Atleticon, finalist i sezonit të kaluar. Në një sfidë të vështirë për Zonjën e Vjetër, sulmuesi spanjoll Alvaro Morata hedh kandidaturën për një rol protagonisti, pasi në këtë 90 minutësh ndjen aromën e derbit. 22-vjeçari ka qenë pjesë e Realit të Madridit deri në fund të edicionit të kaluar dhe e ndjen si një sfidë të veçantë, pavarësisht se të mërkurën është e vështirë që Allegri t’i japë vendin në formacionin titullar. Numri 9 i bardhezinjve tregoi një formë të mirë në sfidën e fituar në Bergamo ku dhe shënoi golin e parë në Itali. Fjalët e para të Moratës përpara supersfidës në “Vicente Calderon” tregojnë nostalgji, si për kompeticionin por edhe për duelet me Atleticon.

“Kush nuk do të dëshironte të luante në Champions League? Gëzohem shumë që kthehem në Madrid pasi kam shumë miq dhe kujtime të bukura”.

Sezonin e kaluar Morata fitoi Champions League me Real Madrid pikërisht në finale me Atleticon, në një sfidë që e pa të vinte nga stoli. 22 vjeçari nuk ka arritur ende të shënojë në portën e Colchoneros dhe e mërkura paraqet një mundësi të mirë, edhe pse duket i destinuar të nisë ndeshjen nga stoli me Llorenten që për momentin shihet si favorit për ta nisur si titullar. Megjithatë Morata ka treguar që forma e tij fizike po vjen në rritje që nga dëmtimi, i cili e pengoi të kryente me skuadrën fazën përgatitore.

“Në Itali mbrojtjet janë më të vështira për t’u sulmuar dhe do të mësoj shumë në këtë kampionat”.

Një fjali që tregon shumë, ashtu si dhe paraqitja në Bergamo që premton për një rol protagonisti këtë sezon. Pse jo duke nisur që në “Vicente Calderon”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat