Zyrtarizohet ndeshja Shqipëri-Itali!

Sporti

Zyrtarizohet ndeshja Shqipëri-Itali!

Më: 29 shtator 2014 Në ora: 17:20

Më 18 nëntor Shqipëria do të luajë miqësore futbolli ndaj Italisë. Negociatat e nisura në fundjavë mes dy Federatave janë konkretizuar këtë të hënë, me FSHF që ka konfirmuar miqësoren e luksit për kuqezinjtë. I vetmi ndryshim, është vendi i zhvillimit të ndeshjes, që nuk do të luhet në Firencë, por në “Tardini” të Parmës, në orën 18.00. Ëndrra e përzgjedhësit të Shqipërisë, Gianni de Biasi, por edhe shqiptarëve për të luajtur një ndeshje miqësore me 4 herë Kampionët e Botës bëhet tashmë realitet. Italia ishte i vetmi emër i madh në futbollin europian ndaj të cilit Shqipëria nuk kishte luajtur asnjëherë në nivelin e Kombëtares A. Gjithçka e pati zanafillën nga një bisedë e përbashkët e trajnerit italian të kuqezinjve me homologun e tij Antonio Conte, ndërsa më pas hynë në lojë dhe Federatat, të cilat bën të mundur marrëveshjen. Kolumbia ishte gjithashtu një tjetër emër, me të cilin Italia po parashikonte të luante një miqësore, në këtë datë të lirë të FIFA-s, por fitorja e arritur nga Shqipëria me Portugalinë bindi drejtuesit italian se kuqezinjtë ishin kundërshtari i duhur për t’u përballur me 18 nëntor. Kjo miqësore do të jetë një “vitrinë” shumë e mirë dhe për imazhin e përfaqësueses sonë, që do të zërë sërish faqet e para të mediave ndërkombëtare pas suksesit të bujshëm në Aveiro ndaj Portugalisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat