Gjinovci reagon ashpër: Federata Shqiptare ka bërë shumë për Kosovën

Sporti

Gjinovci reagon ashpër: Federata Shqiptare ka bërë shumë për Kosovën

Nga: K.G. Më: 23 shtator 2014 Në ora: 12:23

Sekretari i përgjithshëm i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Izet Gjinovci, ka reaguar ashpër në lidhje me disa shkrime se kinse Federata Shqiptare e Hendbollit e ka tradhtuar FHK-në për shkak të mos prezencës në Kongresin e EHF-it. Në Kongres është votuar për pranimin e plotë të FHK-së e cila mori 25 vota pro dhe 18 kundër, por kësaj here nuk ishte përfaqësuesi i Federatës Shqiptare të Hendbollit. Gjinovci tha se Federata Shqiptare ka qenë dhe është aleati më i madh i tyre dhe që ka bërë shumë për hendbollin e Kosovës. “Më vjen keq për këto shkrime për Federatën Shqiptare të Hendbollit dhe sidomos nga disa gazeta apo individët të cilët shkruajnë edhe kolumne lidhur me këtë. E vërteta është se vërtet FSHH nuk pati përfaqësues në Kongres, mirëpo mos harroni se po kjo federatë dhe presidenti i nderuar Myrteza Miftari kanë bërë shumë për Kosovën në këtë 10-vjeçar dhe sidomos ne Kongresin e 34-të të IHF-it në Katar në vitin e kaluar. Prandaj mos u nguteni me dhënë vlerësime pa argumente dhe pa pas informata të sakta”, thuhet në reagimin e ashpër të Gjinovcit. “Ne presim përgjigje nga FSHH dhe presidenti Miftari dhe nuk besojmë se nuk ka ardhur pa pasur ndonjë arsye madhore. Nuk guxojmë askënd ta shpallim tradhtar paraprakisht pa pasur asnjë argument, sidomos njerëzit që e kanë ndihmuar FHK-në me vite të tëra”, thotë më tej në reagim Gjinovci.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat