“Botërori 2022 nuk do të zhvillohet në Katar”

Sporti

“Botërori 2022 nuk do të zhvillohet në Katar”

Më: 22 shtator 2014 Në ora: 21:45

Këtë herë del në skenë një ndër anëtarët e Komitetit Ekzekutiv që i rikthehet idesë për të anuluar vendimin e organizimit të këtij eventi pas 8 vjetësh.

Kampionati Botëror i vitit 2022 po shndërrohet në një telenovelë dhe lajmet që po qarkullojnë këto kohët e fundit e vënë gjithmonë e më tepër në dyshim zhvillimin e edicionit të 22 të Kupës së Botës në Katar. Hapi prapa i FIFA-s në lidhje me mbajtjen e Kampionatit Botëror në Gjirin Persik nuk është ende zyrtar megjithatë nga organizmi më i lartë i futbollit botëror këtë herë del në skenë një ndër anëtarët e Komitetit Ekzekutiv që i rikthehet idesë për të anuluar vendimin e organizimit të këtij eventi pas 8 vjetësh pikërisht në vendin aziatik. Pas presidentit Sepp Blatter, që pranoi hapur se Katar 2022 është një gabim, radhën tashmë e ka ish-presidenti i Federatës Gjermane të Futbollit Theo Zëanziger. 69-vjecari i cili është edhe anëtar i bordit drejtues deklaroi për “Sport Bild” se ai beson se botërori i vitit 2022 nuk do të organizohet në Katar.

Kuptohet që ky është një mendim personal sidoqoftë bëhet fjalë për një temë tepër të nxehtë që ka ndezur debate të shumta dhe shenjat e pendesës kanë filluar të dallohen qartë. Problemi i ngritur nga Zëanziger është pak a shumë i njëjtë, me temperaturat tepër të larta të këtij vendi gjatë stinës së verës. Ai shpjegoi se mjekët kanë dalë hapur duke deklaruar se nuk marrin përsipësr asnjë përgjegjësi, për një Kupë Bote të zhvilluar në kushte të tilla. Në kundërshtim me pothuajse gjithë ambjentin futbollistik në Katar drejtuesit e këtij vendi mendojnë krejt ndryshe dhe janë duke ndërtuar stadiume të freskëta e teknologjikisht shumë të avancuar, kuptohet me qëllim organizimin e këtij eventi në një klimë më të pranueshme, gjithsesi kur u pyet në lidhje me gjithë këto përgatitje Zëanziger u përgjigj se pavarësisht ndërtimit të stadiumeve në parametra të tillë Kupa e Botës nuk luhet vetëm në Katar dhe tifozët nga i gjithë rruzulli do të përballen gjithsesi me një të nxehtë përvëlues. 69-vjecari gjerman shtoi gjithashtu se në rastin më të parë kur për shkak të temperaturave një tifoz do të përballet me rrezikun për jetën atëherë e gjitha kjo do të shkaktonte polemika të shumta dhe do të hapte një hetim zyrtar, e pikërisht për këtë arsye FIFA nuk dëshiron që të shkohet deri në atë pikë.

Mbetet sidoqoftë një opinion personal dhe organizmi më i lartë i këtij sporti nëpërmjet Agjencisë Reuters u distancua menjëherë nga një deklaratë e tillë. Kështu shtohen mundësitë për t’u shtyrë kampionati nga stina e verës, kur në këtë vend temperaturat kalojnë kufirin e 40 gradëve, në atë të dimrit, sigurisht me pasoja të shumta për gjithë klubet dhe kalendarin e tyre përsa i përket sezonit 2022-2023. Duke patur parasysh skandalin e korrupsionit që ka përfshirë FIFA-n si dhe kushtet e papërshtatshme në të cilat janë të shtrënguar të veprojnë punonjësit që po merren me ndërtimin e infrastrukturës së duhur, polemikat mbi Katarin janë të destinuara të vazhdojnë gjatë, e me shumë gjasa edhe pasi të merret një vendim përfundimtar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat