Manchester Utd trishtohet, fitoren e shndërroi në humbje

Sporti

Manchester Utd trishtohet, fitoren e shndërroi në humbje

Nga: Kemajl Goca Më: 21 shtator 2014 Në ora: 16:23

Skuadra e Leicesterit bëri mrekullinë në stadiumin e vet. As laiku më i madh nuk do të kishte besuar se Leicesteri humbjen 1:3 do ta shndërronte në fitore me rezultat 5:3, në ndeshjen e javës së pestë të Premier League. Në përgjithësi ishte një dramë e vërtetë, ku u shënuan gjithsej tetë gola. Futbollisti nga Kosova, Adnan Januzaj, u aktivizua në minutën e 72-të në vend të Radamel Falcao. Robin van Persie shënoi në minutën 13-të dhe pas tre minutave (16’) Di Maria shtoi epërsinë në 0:2 për Manchester Utd. Vendasit ngushtuan rezultat në 1:2 me golin e Ulloa në minutën e 17-të. “Djajtë e Kuq” sërish shënuan pikërisht në minutën e 57-të përmes Herreras dhe 1:3. Kur dukej se po shkojnë drejt fitores së sigurt, vendasit bëjnë kthesë sensacionale në rezultat. Në minutën e 62-të, Nugent nga penalltia ngushtoi rezultatin në 2:3, ndërsa Cambiasso barazoi 3:3 (64’). Sensacioni ndodhi në minutën e 79-të, kur Vardy shënoi për epërsinë 4:3 të Leicesterit. Pas katër minutave (83’), Blackett përjashtohet direkt me karton të kuq dhe “Djajtë e Kuq” mbeten pa një futbollist, ndërsa vendasit përmes Ulloas që ishte i pagabueshëm nga penalltia realizuan golin e fitores 5:3 (83’). Leicester ngjitet në vend të gjashtë me 8 pikë, kurse Manchester Utd është i 12-ti me 5 pikë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat