Daniel Godelli thyen rekordin kombëtar

Sporti

Daniel Godelli thyen rekordin kombëtar

Më: 21 shtator 2014 Në ora: 11:53

Nënkampioni i Europës theu rekordin kombëtar në stilin e shkëputjes duke ngritur 166 kg.

Daniel Godelli konfirmohet shtangisti më në formë në kampionatin kombëtar të peshëngritjes që u zhvillua në kryeqytet në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”. Nënkampioni i Europës theu rekordin kombëtar në stilin e shkëputjes duke ngritur 166 kg, 3 kg më shumë se ish-peshëngritësi Ilir Suli, që detyrohet t’ia lërë podin sportistit peqinas. Në shtytje Godelli ngriti 192 kg, duke zënë vendin e parë në dygarësh me 358 kg. Për shkak të një problemi fizik u tërhoq nga gara kampioni i Europës Erkand Qerimaj, i cili u mjaftua me vetëm 155 kg në shkëputje, ndërsa nuk mori pjesë në këtë kampionat Romela Begaj. Në kategorinë e meshkujve spikatën Bruno Muha i Teutës për peshën 56 kg, Emanuel Lushi i Vllaznisë për peshën 62 kg, Alban Hoxha i Elbasanit për peshën 69 kg, Krenar Shoraj në peshën 85 kg, Sopot Sula më peshën 94 kg dhe në fund Saimir Meta i Elbasanit në peshën 105 kg. Renditjen ekipore e kryeson Teuta e ndjekur nga Elbasani dhe Tirana.

Në konkurrimin e femrave në peshën 48 kg triumfoi Ana Jovani e Skënderbeut, në peshën 53 kg Shqiponja Brahja e Shtërmenit, në peshën 58 kg Sherjana Ruci e Tiranës, në peshën 63 kg Maria Veli e Skënderbeut dhe në peshën +75 triumfoi Besarta Kollozi e Tiranës. Sa i përket renditjes ekipore kryeson Skënderbeu i ndjekur nga Tirana dhe Shtërmeni.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat