Hajvalia shënon fitore tjetër

Sporti

Hajvalia shënon fitore tjetër

Më: 20 shtator 2014 Në ora: 19:58

Me këtë sukses Hajvalia ruan vendin e parë në renditje pasi u ngjit në koutën e 16 pikëve.

Hajvalia regjistroi fitoren e katërt radhazi në Raiffaisen Superliga e Kosovës pasi kaloi me rezultatin e ngushtë 1-0 brenda në Kishnicë Drenicën. Me këtë sukses Hajvalia ruan vendin e parë në renditje pasi u ngjit në koutën e 16 pikëve 4 më shumë se Ferronikeli që ka luajtur një takim më pak. Skuadra e periferisë së Prishtinës vazhdon të habisë në këtë fillim sezoni duke u kthyer në një nga ekipet pretendente për titullin kampion. Enis Zabërgja ishte heroi i vendasve në këtë sfidë pasi arriti të tregohej i saktë në minutën e 69-të duke shënuar golin e fitores për skuadrën e drejtuar nga trajneri Synaj Keqi.

Pavarësisht terrenit të rënduar në Kishnicë që nuk i lejonte futbollistët e dy skuadrave të shprehnin më të mirën e tyre në fushë, Hajvalia arriti të siguronte në fund tre pikë me shumë vlera, madje në minutën e 90-të Enis Zabërgja mund të kishte shënuar edhe golin e dytë personal por nuk u tregua i saktë në finalizim. Në takimin tjetër që u luajt në kryeqytet, Prishtina nuk shkoi më shumë se një barazim 1-1 përballë Vëllaznimit duke u konfirmuar si një skuadër në krizë. Ishin gjakovarët ata që kaluan të parët në avantazh me Valon Kasapin në minutën e 15-të, ndërsa për Prishtinën ishte Mentor Zhdrella ai që shënoi në minutën e 72-të duke fiksuar shifrat përfundimtare të këtij takimi në 1-1.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat