Barcelona kryeson listën e shpenzimeve

Sporti

Barcelona kryeson listën e shpenzimeve

Më: 17 shtator 2014 Në ora: 21:18

Barcelona mban vendin e parë për paratë që duhet të derdhë në llogaritë e lojtarëve të saj, ndërsa e ndjek nga afër Reali i Madridit.

Kur flitet për pagat në futboll, mendja të shkon te Reali i Madridit. Skuadra “merengues” nuk kursehet nëse bëhet fjalë për të kënaqur dëshirat e futbollistëve të saj, por kujdes, nuk është shoqëria “Los Blancos” ajo që shpenzon më shumë me borderotë e lojtarëve të saj. Sipas një studimi të publikuar në të përditshmen “Marca”, Barcelona mban vendin e parë për paratë që duhet të derdhë në llogaritë e lojtarëve të saj, ndërsa e ndjek nga afër Reali i Madridit, por ajo që bie më shumë në sy është hendeku mes dy gjigandëve të Spanjës dhe pjesës tjetër të skuadrave që përballë hijes së tyre duken shumë të vegjël.

Në total, skuadrat e Primera Division shpenzojnë rreth 1.2 miliardë Euro me Barcelonën në krye të listës që shpenzon 347.9 milionë në vit, shumë në të cilën përfshihen edhe shpenzimet e mirëmbajtjes së ambjenteve, siguria dhe kostot e personelit. Në këtë klasifikim, Barcelona kryeson me 20 milionë Euro më shumë se Reali i Madridit. Të dhëna që sipas gazetës “Marca”, flasin qartë për situatën e shëndetshme financiare në të cilën gjenden dy shoqëritë, pasi atyo janë në gjendje të gjenerojnë disa herë më shumë të ardhura gjatë një sezoni, duke përballuar kështu edhe borxhet e mbartura.

Dy pasanikët e Spanjës lënë pas respektivisht Atletico Madrid me 105 milionë dhe Sevillan me 78.6 milionë, ndërsa Valencia e shikon veten në vendin e pestë me vetëm 73 milionë Euro shpenzime gjatë një viti të plotë kalendarik. Të treja këto skuadra shpenzojnë në total rreth 220 milionë…një tregues i qartë i diferencave të frikshme që kanë dy të parët e klasës me pjesën tjetër. Rritje të ndjeshme të shpenzimeve llogarit edhe Athletic Bilbao me 49.9 milionë, i ndjekur nga Villarreal dhe Real Sociedad. Nëse hedhim një vështrim në fund të listës, shikojmë modestët e Almerias me vetëm 11.7 milionë Euro të shpenzuara në vit. Borxhi dhe kriza e Spanjës? Të tilla shpenzime nuk e reflektojnë aspak në këtë mënyrë situatën sepse Reali dhe Barcelona nuk dinë të kursejnë pasi edhe spektakli që eksportojnë në futbollin botëror është me shumicë. Ajka e këtij sporti është përqëndruar në gadishull dhe për të pasur një luks të tillë, nuk ka asnjë dyshim që duhet ta fusësh dorën në xhep.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat