Mavraj: S’kemi frikë nga asgjë, lere më nga Serbia

Sporti

Mavraj: S’kemi frikë nga asgjë, lere më nga Serbia

Nga: Kemajl Goca Më: 16 shtator 2014 Në ora: 10:38

Futbollisti nga Kosova, Mërgim Mavraj, është optimist se kombëtarja e Shqipërisë mund ta sigurojë biletën për në Euro 2016 që mbahet në Francë. Mbrojtësi i dëshmuar që luan për kombëtaren e Shqipërisë dhe anëtar i skuadrës së Bundesliga I, Koln, tha se është i gëzuar për tre pikë që importuan nga Aveiro e Portugalisë dhe që bëjnë Shqipërinë me gjasa shumë reale që të kualifikohet në Euro 2016. Mavraj ishte titullar ndaj portugezëve dhe më luftaraku në fushë, duke qenë i pakalueshëm për sulmuesit e kësaj skuadre. Ai me shokë iu priu armatës kuqezi drejt trepikëshit në start të grupit I. Në ndeshjen e fundit për Shqipërinë luajtën titullarë shtatë shqiptarë nga Kosova, si: Mavraj, Etrit Berisha, Lorik Cana, Amir Mavraj, Ermir Lenjani, Burim Kukeli, Taulant Xhaka, kurse në bankë ishin: Herolind Shala, Debatik Curri dhe Shkëlzen Gashi. Mavraj përgatitet maksimalisht që të jetë sa më në formë për dy ndeshjet e ardhshme që zhvillohen me 11 tetor ndaj Danimarkës dhe tri ditë më vonë me Serbinë. Ai ekskluzivisht për gazetën kombëtare “Bota sot” flet për ecurinë e skuadrës së tij, Koln, si dhe cilat janë synime për ndeshjen me Danimarkën dhe Serbinë dhe a kanë frikë nga atmosfera në Beograd.

“Bota sot”: Mërgim, jeni pjesë e skuadrës së Koln-it, e cila në tri ndeshjet e para ka një fitore e dy barazime dhe renditet në vendin e 9-të me pesë pikë të mbledhura. A mendoni se është një ecuri e mirë?
Mërgim Mavraj:
Mendoj se po, por kemi ende punë më bërë.
“Bota sot”: Kombëtarja e Shqipërisë është para dy sfidave të rëndësishme në Euro 2016, ku luan me 11 tetor në Elbasan ndaj Danimarkës dhe tri ditë më vonë (me 14 tetor) në Beograd me Serbinë. Sa je optimist se do të nxirrni pikë dhe ku e sheh forcën e Shqipërisë?
Mërgim Mavraj:
Jemi duke ecur mirë dhe mendoj që mund të vazhdojmë ende më mirë. Ne me punën që kemi bërë edhe po e bëjmë mund të marrim pikë në këto ndeshje. Forca jonë është e gjithë skuadra dhe tifozeria, e cila na jep përkrahje të jashtëzakonshme, që janë edhe frymëzimi për të luftuar deri në pikën e fundit.
“Bota sot”: Fitorja në Portugali me rezultat 1:0, a është një sinjal se Shqipëria ka gjasa shumë të mira që ta sigurojë vizën për Euro 2016?

Mërgim Mavraj: Po. Pa dyshim se ishte një fitore e madhe apo më konkretisht tri pikë tepër të rëndësishëm në hapje.
“Bota sot”: Jeni mbrojtës i pakalueshëm ose alfa e omega e Shqipërisë, çfarë premtoni për ndeshjen me Serbinë në Beograd dhe a do të keni frikë nga atmosfera?
Mërgim Mavraj: Jo! Aspak ne s’kemi frikë nga asgjë por do të bëjmë më të mirën në këtë përballje.
“Bota sot”: Në grupi I jeni me Portugalinë, Serbinë, Armeninë dhe Danimarkën, kush ka gjasa më shumë për dy vendet e para?
Mërgim Mavraj:
Danimarka sigurisht është për vendin e parë, kurse për të tjerat do të luftojmë të gjithë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat