Simeone: Në Athinë na pret ferri

Sporti

Simeone: Në Athinë na pret ferri

Më: 15 shtator 2014 Në ora: 23:54

Trajneri i Los Colchoneros, Diego Pablo Simeone paralajmëroi skuadrën e tij.

Atletico e Madridit do ta nisë me transfertën e vështirë të Athinës përballë Olympiacosit rrugën e saj në këtë edicion të ri të Uefa Champions League. Trajneri i Los Colchoneros, Diego Pablo Simeone paralajmëroi skuadrën e tij, teksa deklaroi se në Karaiskaqi, nënkampionët e Europës, do të luajnë një nga ndeshjet më të vështira të grupit A ku përvec Atleticos dhe Olympiacosit bëjnë pjesë edhe Juventus e Malmo.

“Në Athinë na pret ferri. Kjo do të jetë ndeshja më vështirë e grupit për ne për vetë ambientin e nxehtë që krijohet këtu sa herë që luan Olympiacosi. Pastaj nuk duhet të harrojmë që përballë kemi një rival shumë të fortë që po dominon prej vitesh në futbollin grek ndërkohë që sezonin e shkuar në Champions e kaloi fazën e grupeve. Michel? Ai është një trajner shumë i mirë që e ka nxjerrë kampion Olympiacosin, ndërkohë që edhe në Champions League e ka përmirësuar shumë skuadrën greke. Mbi të gjitha Michel ka aplikuar stilin e tij dhe Olympiacosi tanimë luan një futboll shumë të bukur, por edhe shumë të vështirë për t’u përballuar”.

Atletico e Madridit vjen në këtë sfidë pas fitores së merituar që siguroi në derbin me Realin. I pyetur se si e ka menaxhuar euforinë që ka përshfirë skuadrën e tij pas asaj ndeshjeje, Simeone u përgjigj në këtë mënyrë.

“Jemi ende një skuadër në ndërtim e sipër pasi grupit i janë shtuar shumë lojtarë të rinj. Unë dhe stafi im po përpiqemi që prurjet e reja të përshtaten sa më mirë me stilin tonë të lojës, pasi ne do të vazhdojmë të luajmë ashtu sic kemi bërë në këto vitet e fundit. Përsa i përket euforisë dua të them që ne tashmë jemi mësuar me fitore në ndeshjet e mëdha dhe pavarësisht kësaj lojtarët dinë të qëndrojnë me këmbë në tokë”.

Nga ana tjetër trajneri i Olympiacosit, spanjolli Michel në konferencën për shtyp në prag të kësaj ndeshjeve theksoi se skuadra e tij do të përpiqet t’i bëjë keq Atleticos, ndërkohë që vlerësoi edhe Diego Pablo Simeonen si trajnerin më të mirë në Botë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat