Wenger: S'kemi probleme me mungesat

Sporti

Wenger: S'kemi probleme me mungesat

Më: 15 shtator 2014 Në ora: 22:58

Topcinjtë dhe verdhezinjtë do të përballen mes tyre për herë të pestë në këto 4 edicionet e fundit të Uefa Champions League.

Mungesat e shumta në mbrojtje ishin epiqëndra e trajnerit të Arsenalit, Arsene Wenger në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes me Dortmundin. Topcinjtë dhe verdhezinjtë do të përballen mes tyre për herë të pestë në këto 4 edicionet e fundit të Uefa Champions League, por këtë herë Wenger në “Signal Iduna Park” do të bëjë pa lojtarë të rëndësishëm në repartin e mbrojtjes si blerja e verës Matthieu Debuchy që do të qëndrojë jashtë fushave për dy muaj apo edhe Nacho Monreal që nuk ka udhëtuar fare në Gjermani. Por pavarësisht mungesave të shumta trajneri i Arsenalit deklaroi se skuadra e tij i ka mundësitë për ta përballuar mësëmiri Dortmundin.

“ Unë nuk mendoj se ne kemi probleme me mungesat. Është e vërtetë që na mungojnë disa lojtarë si për shembull Matthieu Debuchy që është shumë i rëndësishëm për ne. Gjithsesi në skuadër kemi shumë futbollistë cilësorë që mund ta zëvendësojnë atë apo edhe Nacho Monrealin. Calum Chambers është një i ri shumë premtues që mund të luajë në disa pozicione të mbrojtjes. Unë kam besim te skuadra dhe mendoj se mund të arrijmë rezultat të mirë ndaj Dortmundit”.

Borussia e këtij sezoni është më e dobët se skuadra që në vitin 2013 mbërriti deri në finalen e Championsit ku u mposht nga Bayerni. Gjithsesi Wenger mendon se skuadrat gjermane dhe ato spanjolle edhe në këtë edicion janë ekipet favorite për të fituar trofeun me veshë të mëdhenj.

“ Jo, unë nuk besoj se gjërat kanë ndryshuar. Skuadrat më të vështira për t’u ndeshur janë pikërisht ato gjermane por edhe ato spanjolle. Kur shprehem kështu marr si shembull Bayernin që në këto vitet e fundit ka mbërritur disa herë në finale. Dortmundi gjithashtu është një skuadër që merr pjesë rregullisht në Champions League dhe kurrsesi nuk mund të merret lehtë. Për të mos harruar pastaj Barcelonën dhe Realin e Madridit që gjithmonë synojnë trofeun”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat