Bundesliga, Augsburg siguron fitoren e parë

Sporti

Bundesliga, Augsburg siguron fitoren e parë

Më: 14 shtator 2014 Në ora: 20:31

Skuadra e Augsburgut ishte e vetmja që kishte pësuar dy humbje pas dy javëve të para të Bundesliga-s, megjithatë ekipi i Markus Weinzierl reagoi në mënyrën më të mirë të mundshme duke siguruar fitoren e parë të kampionatit brenda në Frankfurt ndaj Eintracht-it. Pa dyshim klubi bavarez ishte surpriza më e këndshme e edicionit të kaluar, sidoqoftë pa humbur kohë pas dy disfatave me Hofenhaimin dhe Borusian e Dortmundit ekipi rikthehet në rrugën e duhur, madje duke fituar menjëherë 6 pozicione në klasifikimin e përgjithshëm. Trajneri Weinzierl plot besim te skuadra e tij nuk ndryshoi shumë për këtë takim dhe në Commerzbank – Arena 39-vjecari nga Bavaria e Poshtme rreshtoi nga minuta e parë treshen Raul Bobadilla – Halil Altintop – Tobias Werner pas shpinës së sulmuesit Sascha Molders.

Futbollistët e ekipit mik falë lojës kolektive, dhe cilësisë së shfaqur në fushë u treguan më të zotë në cdo aspekt krahasuar me skuadrën e Thomas Schaaf, që në krahun tjetër ndonëse u përpoq shumë nuk arriti dot të gjejë as rrugën e rrjetës. Përcaktues rezultoi goli i shënuar në fillimin e pjesës së dytë. Në 4’ të kësaj pjese bavarezët rikuperuan një top në mesin e fushës dhe më pas në duelin një për një me turkun Halil Altintop qendërmbrojtësi brazilian Anderson Bamba nuk largoi sic duhet sferën duke i dhuruar një mundësi shumë të mirë argjentinasit Raul Bobadilla. 27-vjecari nga Buenos Airesi në sezonin e tij të pestë në Bundesligë falenderoi më së miri duke goditur saktë me të djathtën dhe me ndihmën e shtyllës numri 25 realizoi njëkohësisht edhe golin e parë dhe të fundit të sfidës. Si për të legjitimuar fitoren Tobias Werner goditi kornizën e portës së Eintracht-it në 87’, por gjithsesi e rëndësishme për miqtë ishte fitorja e parë sezonale dhe një rezultat i tillë i jep njëherësh klubit bavarez edhe fitoren e tretë në katër përballjet e fundit ndërmjet këtyre dy skuadrave.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat