Amerikanët shkatërrojnë edhe Zelandën e Re

Sporti

Amerikanët shkatërrojnë edhe Zelandën e Re

Nga: Kemajl Goca Më: 2 shtator 2014 Në ora: 19:31


Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vazhdojnë të shkelin një nga një rivalët në Kampionatin Botëror në basketboll, që po mbahet në Spanjë. Amerikanët shënuan fitoren e tretë më radhë në grupin C dhe prijnë në renditjen e klasifikimit. “Viktimë” e amerikanëve kësaj here ishin Zelanda e Re, ku u mundën me rezultat 98:71. Zelanda e Re nuk kishin takat që të shtyhen me amerikanët që bënë lojë të shpejt dhe ishin shumë të saktë. SHBA-të janë favoritë për ta fituar Botërorin. Në çerekun e parë amerikanët zotëruan dhe udhëhoqën me rezultat 27:20, ndërsa sa kalonin minutat gjithnjë ishin edhe më bindës dhe në minutën e 20-të rezultati në semafor ishte 57:35. Amerikanët deri në fund dominuan, duke shkatërruar me lojë rivalin dhe fituan me 27 pikë epërsi (98:71). Individët me efikas ishin Davis me 21 pikë i ndihmuar nga Faried me 15, Harden 13, Cyrry e Thompson me nga 12 pikë etj. ndërsa te zelandezët u dallua Anthony me 11 pikë. Kombëtarja e Turqisë sërish dëshpëroi, e cila u mund me 6 pikë dallim (64:58) nga Ukraina. Basketbollisti ukrainas Mishula me 19 pikë ishte enigmë e pazgjidhshme për turqit. Asik me gjithë që shënoi 16 pikë, nuk ndihmoi që turqit të bëjnë më shumë në këtë sfidë. Turqia është në vend të katërt me katër pikë, kurse amerikanët kryesojnë me 6 pikë, që ndiqen nga Ukraina po ashtu me 5 pikë. Një fitore të madhe arriti Australia, e cila e mundi me rezultat 82:75 Lituaninë. Kjo ishte humbja e parë për lituanët, ndërsa një fitore shumë e rëndësishme për australianët. Te australianët Ingles ishte figura qendrore dhe kreator i fitores. Ai realizoi 18 pikë që ndihmuan skuadrën drejt fitores së madhe. Australia dhe Lituaninë kryesojnë me nga 5 pikë në grupin D. Meksika shënoi fitore të lehtë me rezultat 79:55 ndaj Angolës. Basketbollistët Angolës nuk ishin rival të denjë në asnjë moment dhe meksikanët pa problem fituan sfidën. Hernandez me 24 pikë të shënuara ishte më i dalluari te meksikanët dhe më i merituari për fitore. Meksika klasifikohet në vend të tretë me 4 pikë, sa ka edhe Angola e pesta në grupin D.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat