Hodgson nis përgatitjet me kombëtaren

Sporti

Hodgson nis përgatitjet me kombëtaren

Më: 1 shtator 2014 Në ora: 22:48

Trajneri Roy Hodgson filloi përgatitjet e përfaqësueses angleze në prag të takimit miqësor me Norvegjinë.

Trajneri Roy Hodgson filloi përgatitjet e përfaqësueses angleze në prag të takimit miqësor me Norvegjinë me një grup të reduktuar futbollistësh. Lojtarët e përzgjedhur nga 67-vjeçari londinez u grumbulluan pranë kryeqytetit britanik, në London Colney, Hertfordshire, një seleksion ku për arsye të ndryshme mungonin shumë futbollistë. Ky është takimi i parë për “tre luanët” pas eliminimit në muajin Qershor nga Kupa e Botës. Wayne Rooney pritet të udhëheqë kombëtaren e vendit të tij pas tërheqjes së kapitenit Steven Gerrard, i cili vendosi të mbyllë përfundimisht karrierën me përfaqësuesen pas zhgënjimit në Brazil. Ish-mesfushori i Chelsea-t Frank Lampard u tërhoq gjithashtu nga impenjimet me përfaqësuesen pas transferimit te klubi i New York City-t, dhe kalimit të tij të përkohshëm në formë huazimi te Manchester City. Katër lojtarët e përzgjedhur si debutues Danny Rose, Calum Chambers, Jack Colback dhe Fabian Delph nuk ishin të pranishëm në seancën stërvitore të ditës së Hënë, për shkak të impenjimeve të fundjavës në Premier League, me klubet respektive. Treshja e Liverpool-it Jordan Henderson, Raheem Sterling e Daniel Sturridge mbërriti disa orë më vonë pasi kishin nevojë për më tepër pushim, pas atij triumfi 3-0 ndaj Tottenham-it, brenda në “White Hart Lane”. Ndryshimet e mëdha kanë shtuar akoma më shumë përgjegjësitë në grupin e lojtarëve të përzgjedhur, por natyrisht pesha më e madhe bie mbi kapitenin e ri të përfaqësueses së Anglisë, Wayne Rooney, që në fakt vetëm disa javë më parë mori gjithashtu shiritin te skuadra e Manchester United. Lojtari i krahut te Liverpoo-li, 19-vjeçari i talentuar me origjinë xhamajkane Raheem Sterling ka besim të plotë se sulmuesi i “djajve të kuq” do ta përmbushë më së miri këtë detyrë:

Raheem Sterling – Ai është një futbollist që luan prej shumë kohësh në nivele të larta, që nga momenti kur ishte adoleshent e deri tani, që luan në nivele të tilla. Unë mendoj se ai ishte kandidati i vërtetë për t’u bërë kapiten dhe pikërisht futbollisti që më nevojitej për të mësuar dhe për të fituar eksperiencën e duhur për të ecur përpara, e për t’u përmirësuar, gjë të cilën ai e ka bërë shumë mirë gjatë karrierës së tij.

I të njëjtit mendim është gjithashtu edhe kolegu i tij te Liverpoo-li Jordan Henderson, që mendon se Rooney është kapiteni ideal për Anglinë dhe mbi të gjitha një lider i vërtetë si në dhomat e zhveshjes ashtu edhe në fushën e lojës. Takimi miqësor me Norvegjinë do të luhet të Mërkurën në mbrëmje në “Wembley”, ndërsa impenjimi i parë i vërtetë për ekipin e Roy Hodgson do të jetë të Hënën e ardhshme në St. Jakob-Park të Bazelit, përballë përfaqësueses së Zvicrës, që përbën njëkohësisht edhe rivalin kryesor për kombëtaren angleze në Grupin E, të ndeshjeve kualifikuese për europianin e ardhshëm.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat