Superiore, Kukësi kërkon konfirmimin

Sporti

Superiore, Kukësi kërkon konfirmimin

Më: 30 gusht 2014 Në ora: 18:27

Kukësi kërkon të festojë me tre pikë dhe ndeshjen e parë të kampionatit përpara publikut të tij.

E diela e Superiores, rezervon dy takime interesantë në program, mes Kukësi e Elbasanit e Teutës e Vllaznisë. Pas fitores një javë më parë në Shkodër ndaj Vllaznisë, Kukësi kërkon të festojë me tre pikë dhe ndeshjen e parë të kampionatit përpara publikut të tij. Skuadra nënkampione e vendit, synon suksesin e dytë në po kaq javë teksa do të presë në shtëpi Elbasanin, që zhvilloi një lojë të mirë në ndeshjen e parë me Skëndërbeun por nuk arriti të bëjë rezultat. Në letër kuksianët nuk duhet të hasin probleme në “Zeqir Ymeri”, aq më tepër që dhe të vetmin ballafaqim e vetëm mes tyre në shtëpi, i luajtur në Kategorinë e parë e kanë fituar 3-1. Teuta – Vllaznia është ndërkohë sfida më e rëndësishme e kësaj të diele.

Të dyja skuadrat kanë humbur ndeshjet e para me rezultat të njëjtë 2-1, vetëm se shkodranët janë mposhtur në shtëpi ndërsa Teuta u mund në Vlorë nga Flamurtari. Në ditët e fundit të dyja kanë qenë aktive në merkato dhe në bazë të skuadrave të tyre kanë emrat e rinj, vetëm se durrsakët ata shqiptarë ndërsa shkodranët kanë investuar më shumë te emrat e huaj. Trajneri i Vllaznisë, Baldo Ranieri ka pasur më shumë kohë në dispozicion për ta përgatitur këtë ndeshje dhe tashmë duhet të ketë krijuar një ide më të qartë për skuadrën e tij. Statistikat në vitet e fundit flasin në favor të durrsakëve megjithatë ndeshja e “Niko Dovanës” pritet të jetë shumë e luftuar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat