Ozil: Arsenali mund të fitojë Champions-in

Sporti

Ozil: Arsenali mund të fitojë Champions-in

Më: 30 gusht 2014 Në ora: 12:21

Mesfushori i Arsenalit, Mesut Ozil mendon se Arsenali i ka mundësitë për të mbërritur në finalen e Champions League gjatë këtij sezoni.

Mesfushori i Arsenalit, Mesut Ozil mendon se Arsenali i ka mundësitë për të mbërritur në finalen e Champions League gjatë këtij sezoni. Skuadra e drejtuar nga Wenger u kualifikua me vështirësi në fazën e grupeve pasi kaloi Besiktasin në play-off. Por 25-vjeçari kampion bote me Gjermaninë edhe pse e di se “topçinjtë” janë shortuar në grup të vështirë së bashku me Dortmundin, Galatasaray-in dhe Anderlechtin e Besnik Hasit, është optimist mbi mundësitë që ka Arsenali për ti shkuar deri në fund kompeticionit të kampionëve.

“Jemi forcuar ndjeshëm në merkato. Duke u bazuar në këtë fakt ne duam të tregojmë se jemi të aftë të luajmë më mirë edhe në Champions League. Është e vërtetë që ndodhemi në një grup të vështirë por ne nuk kemi frikë asnjë skuadër. Unë mendoj se Arsenali e ka potencialin për të mbërritur deri në finalen e madhe të Berlinit. Nëse besojmë te aftësitë tona mund të shkojmë larg në këtë edicion të Champions League. Sezonin e kaluar jo shumë persona mendonin se Atletico e Madridit mund të kapte finalen. Nëse punon fort në futboll çdo gjë është e mundur”.

Në Botërorin e Brazilit, Ozil u vendos nga Joachim Low në krahun e majtë të sulmit. Por ish lojtari i Realit të Madridit edhe pse e pranon se preferon të luajë në rolin e një numri 10, ai gjithmonë do të jetë në dispozicion të trajnerëve të tij Low dhe Wenger dhe do të luajë në atë pozicion të fushës që ata e shikojnë të arsyeshme se i shërben më shumë skuadrës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat