Hasi kishte shpresuar më ndryshe grupin në Champions

Sporti

Hasi kishte shpresuar më ndryshe grupin në Champions

Më: 29 gusht 2014 Në ora: 13:57

Ish-futbollisti i mirënjohur nga Kosova, Besnik Hasi, aktualisht trajner i kampionit belg, Anderlecht, tha se shorti është i mirë, por ekipet janë të vështira. Skuadra belge është në grupin D me Arsenalin, Dortmundin dhe Galatasarayn. Një grup i fortë, por jo edhe pakalueshëm. Hasi me punën e tij ka bërë një skuadër të fortë, ku e bëri kampion dhe fitues të Superkupës në Belgjikës. Hasi flet për përvojën e tij të parë në Champions League në cilësinë e trajnerit. “Duhet të jemi realist. Shorti duket i mirë, por kundërshtarët janë shumë të vështirë. E kisha shpresuar një grup me Chelsea, Schalke e Sportingun, por nuk ndodhi ashtu. Do të japim më të mirën dhe gjithsesi do të kemi një përvojë të mirë në grup”, ka thënë Hasi. Krahas Hasit si trajnerë pjesë e kësaj ngjarjeje të madhe janë edhe nëntë futbollistë shqiptarë. Xherdan Shaqiri që luan për Bayernin nga Munihu, Shkëlzen Gashi, Taulant Xhaka, Naser Aliji, Arlind e Albion Ajeti për kampionin zviceran, Baseli, Pajtim Kasami me Olympikosin , Agim Ibraimi (Maribori) dhe Agon Mehmeti (Malmo). Të gjithë shqiptarët shpresojnë në rezultate më mira, por Shaqiri me Bayernin janë favoritë të mëdhenj për të fituar edhe garën më prestigjioze.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat