Një organizator rus provokoi Majlindën, por si ka reaguar Kuka?

Sporti

Një organizator rus provokoi Majlindën, por si ka reaguar Kuka?

Nga: Kemajl Goca Më: 28 gusht 2014 Në ora: 11:49

Krenaria e sportit të Kosovës, xhudistja Majlinda Kelmendi (52 kg), kampionia e dyfishtë e botës, dëshmoj fuqinë e saj midis Rusisë, ku ia dogji zemrën keq e fortë rusëve, duke ua deklasuar në gjysmëfinale garuesen e tyre, Natalia Kuziutina. Majlinda apo luanesha e Kosovës, që mbrojti titullin e botës, u provokua para garës nga një organizator rus. Ky provokim i paprecedent ndaj kampiones tonë gati sa u shndërrua në skandal! Rusët ishin të vetëdijshëm për potencialin e Majlindës, sepse ajo e kishte mundur edhe në finalen e Kampionatit Evropian garuesen e tyre, Kuziutina. Prandaj, e kishin më së të qartë se sërish Majlinda do ta mposhtë garuesen e tyre, duke i njohuri mjeshtëritë e trimëreshës tonë. Prandaj, ata u munduan me disa provokime ta qesin nga takti kampionen tonë, por ishte e kot, sepse Majlinda përdori arsenalin e saj mjeshtëror dhe një luftë të vërtetë sportive, duke iu treguar se kush është shefi! Driton Kuka, përzgjedhës i kombëtares së Kosovës, tregon ekskluzivisht për gazetën kombëtare “Bota sot”, se si është provokuar Majlinda dhe çfarë iu është thënë nga organizatori rus? “Njerëzit në Rusi janë ndryshe nga politika e tyre zyrtare karshi Kosovës. Kurse gazetarët rus, pyetjet për kampionen i kanë gjithnjë të politizuara dhe me gjithë tentimet për të minimizuar përmendjen e Kosovës. Megjithatë, krejt pyetjet janë për shtetin tonë”, tha Kuka. A u bën nervoz rusët kur përmendej Kosova? “Zyrtarët po!”, përgjigjet Kuka, duke treguar se si ishte afër që të kërcet edhe skandali para garave të Majlindës. “Në vendin ku bëhet testimi i kimonove kemi pas një provokim, i cili për pak sa nuk ka kaluar në skandal. Nga një organizator, iu ishte drejtuar Majlindës se këtu s’do përmendet në Rusi kurrë Kosova! E pastaj reagimi im ishte i menjëhershëm. Ai, Majlindës i ka thënë kur e ka takuar vetëm dhe atë para garave (të martën)”, tregon Kuka. Cili ka qenë reagimi juaj më këtë rast? “Shkova ta sqaroj me një tonë pak më serioz të ai personi dhe mandej ai e kuptoj at, asnjë milimetër nuk guxon të provokoj garueset e mija”, tregon Kuka. Përzgjedhësi i kombëtares së Kosovës tha se kur humbi garuesja e tyre pa dyshim se ishte një xhelozie e madhe për tifozët dhe vet zyrtarëve të federatës ruse. “Humbja e garueses së tyre ka reflektuar në një dëshpërim dhe atë shumë të madh. Kemi pas presion të madh, por nuk kanë mundur të na thyejnë në asnjë moment vetëbesimin”, thotë Kuka. Majlinda ka fituar edhe 900 pikë të reja botërore dhe pa dyshim se është e paprekshme në të gjitha ranglistat botërore. “Sivjet në Ranglista Botërore, ajo është super Majlinda e paprekshme”, tha Kuka, njeriu që ka ndërtuar sportiste të kalibrit botëror dhe është shembull edhe për shtetet e rajonit e më gjerë se si punohet e krijohen yje të këtij sporti!

Kuka: Luftë e shkëlqyeshme e Norës
Xhudistja Nora Gjakova (57 kg) tregoi formë jashtëzakonisht të mirë, por ishte e pafat, e cila u mënjanua në rrethin e parë nga Loredana Ohai nga Rumania. Kuka e vlerësoi lartë luftën e Norës dhe sipas tij ka qenë e barabartë me rumunen. “Luftë e shkëlqyeshme e Norës. Kthim i saj në gara të mëdha. Lufta përfundoj baras dhe me një dënim për pasivitet fitoj rumunia. Realisht lufta ka qenë e barabartë, por garuesja rumune nuk ishte aspak më e mirë”, tha Kuka.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat