Sot, Tour de Kosova

Sporti

Sot, Tour de Kosova

Nga: Fazli Berisha Më: 28 gusht 2014 Në ora: 08:44

Kryeqyteti i Kosovës sot do të vërshohet nga çiklistët. Një nga ngjarjet më të mëdha sportive në vendin tonë, Tour de Kosova do të nis sot.

Edicioni i 14-të i Tour de Kosova po mbahet në kohën kur në Spanjë po zhvillohet njëra nga tri garat më të mëdha të çiklizmit “Vuelta a Espana” (edicioni i 68-të) që ka nisur më 23 gusht dhe përfundon më 14 shtator. Atje po marrin pjesë ajka e çiklistëve botërorë, Froome, Alejandro, Thibaut, Evans e shumë e shumë të tjerë. Ndërsa, në Tour de Kosova, kryesisht po marrin pjesë ekipe dhe çiklistë më pak të njohura për botën e çiklizmit. Si do që të jetë interesimi për këtë garë nuk është i vogël. Por, për t;u shtuar ky interesim duhet shumëçka për të ndryshuar. Duhet të shtohen etapat, ngase edhe pas 14 viteve Tour de Kosova ka vetëm 4 etapa. Edhe Tour de France ka nisur me pesë etapa por sot ka 21 etapa. Duhet shtuar shpërblimet për fitues dhe bartës të fanellave por kjo nuk mund të bëhet me këtë koncept të financimet duke pritur vetëm nga MKRS-ja. Duhet të shtohet nxitja medieve dhe atraktiviteti që sjellë çiklizmi dhe duhet më shumë punë në fushën e marketingut dhe të mirat që i sjellë çdo vendi e treve nga ku kalon turi dhe shumë e shumë të tjera. Kur të shtohen etapat dhe shtigjet nuk është thënë që gara gjithsesi të nis në Kosovë, por nga viti në vit, kjo mund të nis nga Shqipëria, Maqedonia, Kosova lindore, Mali i zi sikur që as Tour de France nuk nis veç nga territori francez, ketë viti ai nisin nga Yokshire të Anglisë. Atë që kemi thënë një vit më parë po e themi edhe sot se, veç Federatës së Çiklizmit, MKRS-ë, garën duhet ta mbështesin në format e ndryshme, institucionet tjera, kulturore, ekonomike, të turizmit, komunat nëpër të cilat kalon turi, bankat dhe shumë subjekte tjera afariste. Me këtë do të rritej fondi i shpërblimeve, do të mund të shtoheshin etapat, nxitet motivi për pjesëmarrje sa më të madhe edhe të çiklistëve me nam botëror dhe që kjo garë të ngjasojë me tri garat më me nam të çiklizmit botëror si Tour de France, Vuleta e Giro d’Italia. Duhet të punojmë për të shpresuar për më mirë. Asgjë nuk vjen vetvetiu. Në konferencën për gazetarë që drejtuesit e FÇK e mbajtën dje kryetari i saj Avni Nuha tha: “Edicioni i 14-të do të nisë me disa ndryshme sa i përket shtigjeve për shkak të ndërtimeve në rrugë. Kemi mjaft ekipe të interesuara si dhe për herë të parë kemi edhe ekipe nga Malta. I falënderoj të gjithë ata që na kanë mbështet për këto vite”. Zv.drejtoresha e DSK-së, Afërdita Fazlija, tha mes të tjera: “Është ndër aktivitetet më të rëndësishme të FÇK-së dhe ndër aktivitetet më të rëndësishme ndërkombëtare që mbahet në Kosovë. Aktivitetin do ta mbështesim brenda mundësive dhe buxheti financiar”. Përzgjedhësi i kombëtares së Kosovës, Flurim Shala, tha se marrin pjesë me këta çiklistë: Qëndrim Guri, Luan Haliti, Hyrmet Kastrati, Klint Grempe dhe Olsion Veliu. Në konferencë ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e Maltës, ndërsa Njazi Berisha, sekretar i përgjithshëm i Federatës së Çiklizmit të Kosovës, tha se marrin pjesë 50-60 çiklistë dhe zhvillohen garat në katër etapa me gjithsej 442 kilometra. Etapa e para mbahet sot në relacionin Prishtinë-Artanë-Ferizaj-Glloboçicë, me gjatësi të shtegut 110 kilometra, ndërsa etapa e dytë mbahet me 29 gusht: Ferizaj-QMI-Lypjan-Skenderaj-Pejë-Kullë (130 kilometra). Më 30 gusht zhvillohet etapa e tretë: Pejë-Klinë-Mrasor, Malishevë-Prizren (85 kilometra) dhe etapa e katërt mbahet me 31 gusht: Prizren-Prevallë, Ferizaj-Gjilan-Artan (117 kilometra).Sipas zyrtarëve të federatës, shifra e shpërblimeve sillet 1400-1550 euro. Ekipet pjesëmarrëse janë: Profi Line, Monte Info (Gjermania), Balzano (Italia), Novi Pazari, Velo nga Kumanova, Levski nga Bullgaria, Teuta e Durrësit, Apolonia e Fierit, Malta dhe kombëtarja e Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat