Nuk e ka presionin e fitoreve

Sporti

Nuk e ka presionin e fitoreve

Më: 27 gusht 2014 Në ora: 17:29

Piloti spanjoll Marc Marquez, lideri aktual i Kampionatit Botëror të Moto Grand Prix, ndihet më i relaksuar në prag të garës që do të zhvillohet këtë fundjavë në Silverstone, sepse pas vendit të katërt në cirkuitin e Brno, piloti spanjoll nuk ka më presionin për t'i fituar të gjitha garat e këtij sezoni. “Në Brno patëm një fundjavë të vështirë, gjithsesi rëndësi ka që arritëm të merrnim pikë me vlerë. Madje tani jam më i qetë pasi nuk do të ndiej më presionin e njerëzve për ti fituar të gjitha garat. Për mua e rëndësishme është të fitoj kampionatin dhe jo të thyej rekorde”, tha ai. Në prag është Çmimi i Madh i Anglisë. Marquez mbetet optimist mbi mundësitë që ka Honda për të synuar fitoren në Silverstone. “Testet që zhvilluam në Brno pas garës, treguan se motori ndodhet në një gjendje të mirë. Shpresoj që gjatë këtij viti të jem në 100 përqind të formës time gjatë të gjitha garave, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të synoj fitoren në çdo pistë”, tha Marquez, i cili pas 11 garave udhëheq klasifikimin e përgjithshëm me 263 pikë, 77 më shumë se shoku i tij i skuadrës, spanjolli tjetër Daniel Pedrosa.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat