A është Ronaldo në kondicionin optimal?

Sporti

A është Ronaldo në kondicionin optimal?

Më: 26 gusht 2014 Në ora: 11:53


Real Madridi e ka filluar edicionin e ri me fitore me rezultat 2:0 kundër skuadrës së sapo ngjitur në ligë, Cordoba. Një fitore që vlerësohet shumë e rëndësishme nga trajneri i Realit, Carlo Ancelotti. “Mbretërit” fituan me golat e Banzemas (30’) e Ronaldos (90’). Reali dominoi tërë takimin ndaj skuadrës modeste dhe arritën në hapje tre pikë, por që në anën tjetër Ancelotti, tha se Ronando nuk është në formën më të mirë, ngase i duhet ende që të përgatitet, pasi vjen nga një lëndim. “Ronaldo nuk është ende në kondicionin e tij optimal, ashtu si e gjithë skuadra. Benzema? Kur një sulmues si ai shënon, të gjithë janë shumë të lumtur. Gjithsesi unë gjithmonë i kam vlerësuar cilësitë e Benzemasë edhe kur ai nuk ka realizuar. Sa i përket pozicionit të James Rodriguez, dua të them që tre sulmuesit tanë Ronaldo, Bale dhe Benzema nuk mund t’i luajnë të gjitha ndeshjet, kështu që për momentin po përpiqemi të vendosim Rodriguezin në një pozicion më të tërhequr dhe në momentin që ndonjëri prej tre sulmuesve tanë do të mungojë në pozicionin e tij do të luajë Rodriguez. Ai përshtatet mirë dhe më i tërhequr pasi është një futbollist me cilësi të jashtëzakonshme”, tha Ancelotti. Sa i përket ndeshjes, Ancelotti, tha se është i lumtur, sepse arkëtuan pikë të plota në hapje. “E kontrolluam mirë ndeshjen. Besoj se luajtëm në mënyrë të ekuilibruar. Është më së normale që në këtë periudhë paraqitjet tona në fushë të mos jenë edhe aq brilante. Ekipi në këtë sfidë ndjeu lodhjen sepse brenda 12 ditëve kemi luajtur katër takime zyrtare. Megjithatë, unë jam i kënaqur me atë që dhuroi skuadra në fushë pasi e nuk e vumë asnjëherë në diskutim sfidën”, thotë Ancelotti. Ai ka fjalë të mëdha për futbollistët Pepe e Ramos, duke thënë: “Pepe dhe Ramos janë një garanci për ne, por jo gjithmonë gjërat mund të shkojnë mirë. Ka raste që një futbollist edhe mund të gabojë edhe pse në krah mund të ketë partnerin më të mirë në botë. Në lidhje me Xabi Alonson dua të them luajti në dy ndeshjet e Superkupës, prandaj dëshiroja që ai të pushonte. Është e vështirë të ruash një ritëm të lartë çdo tre ditë, sidomos për një futbollist që i ka kaluar të 30-tat”. Reali në javën e ardhshme luan në udhëtim kundër skuadrës së Sociedadit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat