Kuka flet për Bota sot : Majlinda të bëj luftën si di e mundet!

Sporti

Kuka flet për Bota sot : Majlinda të bëj luftën si di e mundet!

Nga: Kemajl Goca Më: 25 gusht 2014 Në ora: 22:32

“Pres që Majlinda Kelmendi të jetë e qetë dhe të bëj luftën si di e mundet”, tha Driton Kuka, ekskluzivisht për gazetën kombëtares “Bota sot”.

Trimëresha jonë, xhudistja Majlinda Kelmendi (52 kg), kampione në fuqi e Botës dhe e Evropës, e ndajnë edhe disa orë (nesër) para se të dalë në mejdan që të luftojë në sfidën e parë të Kampionatit Botëror për seniore në xhudo, kundër garueses nga Venezuela, Vannesa Cortesia. Botërori mbahet në Chelyabinskit të Rusisë, ndërsa Majlinda së bashku me Nora Gjakovën (57 kg), janë pjesë e kësaj ngjarje të madhe. Majlinda e Nora, që nga e shtuna e javës që e lamë pas, janë të vendosura në Chelyabinski dhe në një formë jashtëzakonisht të mirë. Majlinda nesër do të garojë kundër Cortesias, një rivale që nuk llogaritet e fortë dhe që pritet pa ndonjë problem ta tejkalojë. Krenaria e sportit tonë ani se është favorite e madhe në këtë përballje, është e kujdesshme dhe do t’i qaset luftës me një përqendrim të madh. Majlinda vitin e kaluar respektivisht me 27 gusht u stolis me titullin e kampionit të Botës në Rio, kur poshtëroi brazilianen Erika Mirandën. Driton Kuka, përzgjedhës i kombëtares së Kosovës, nga Chelyabinski flet ekskluzivisht për gazetën kombëtares “Bota sot” për sfidën e nesërme që ka Majlinda. Sa jeni optimist, cila është atmosfera dhe çfarë pret nga Majlinda? “Pres që Majlinda të jetë e qetë dhe të bëj luftën si di e mundet”, përgjigjet Kuka. Përzgjedhësi edhe para nisjes për në Chelyabinski ka thënë se synim i tij është që të kthehen me medalje. Kuka është optimist i matur dhe sipas tij, synon një paraqitje të denjë të garuesve të tija. Majlinda në vitin 2014 ka pasur rezultate të jashtëzakonshme. Ajo këtë vit fitojë titullin e Evropës pikërisht me 24 prill në Montpellier të Francës. Duhet kujtuar se në finalen e evropianit Majlinda e gjunjëzoi rusen Natalia Kuziutina. E gjithë Kosova dhe kudo që janë shqiptarët kanë të drejtuar sytë nga Majlinda, duke shpresuar se do ta mbrojë titullin e kampionit të botës të fituar një vit më parë. Majlinda është bartëse dhe udhëheq në të gjitha ranglistat botërore me gjithsej 3380 pikë, e cila u shpall edhe xhudistja më e mirë e Evropës për vitin 2013. Majlinda me gjithë dominimin bindës në vitet e fundit, ajo është tejet e matur dhe çdo sfide i futet me një kujdes të posaçëm. Majlinda ka sfidën e saj të madhe, ndërsa Nora Gjakova në kategorinë 57 kg do të garojë me 27 gusht, e cila ballafaqohet me rumunen Loredana Ohai. Për Kukajn, janë dy sfida shumë të mëdha dhe që shpreson se do të arrijnë më të mirën. Duhet theksuar se Nora është kthyer pas një kohe, për shkak se ishte e lënduar por që ka arritur të përgatitet maksimalisht dhe pritet paraqitje dinjitoze e saj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat