Fillim jo i lehtë për Realin, vendos Ronaldo

Sporti

Fillim jo i lehtë për Realin, vendos Ronaldo

Më: 25 gusht 2014 Në ora: 22:17

Los blancos fituan ndaj Cordobës, 2-0 por jo pa vuajtje, me debutuesit e këtij kampionati që i dhanë një leksion thjeshtësie skuadrës së Ancelotit..

Fillim i vështirë për Realin e Madridit në Primera Division. Los blancos fituan ndaj Cordobës, 2-0 por jo pa vuajtje, me debutuesit e këtij kampionati që i dhanë një leksion thjeshtësie skuadrës së Ancelotit, që dhe në ndeshjet e mëparshme kishte treguar se nuk ishte ende gati për sezonin e ri. Madrilenët gjetën golin në pjesën e parë me Benzeman, por në pjesën e dytë ranë shumë fizikisht ndoshta dhe për faktin se vetëm tre ditë më parë kishin luajtur dhe në Superkupë ndaj Atletikos së Madridit. Në një “Santiago Bernabeu” që përqafonte sërish kampionët e saj Reali u përpoq ta niste me këmbën në gaz takimin dhe pasi krijoi disa raste, zhbllokoi shifrat më në fund në minutën e 30-të kur një harkim i Krosit gjeti kokën e Benzemas, që shënoi golin e parë të La Ligas për të tijtë, sic kishte bërë dhe një vit më parë ndaj Betisit.

Në një skuadër të mbushur me yje, rastet për shënim nuk mungojnë problemi është se mungonte saktësia e duhur përpara kuadratit, e cila nuk lejoi thellimin e mëtejshëm të shifrave. Në pjesën e dytë Reali ra shumë fizikisht me Kordobën që kuptoi se mund të synonte goditjen e madhe në kryeqytet. Gjithsesi rastin më të mirë e patën vendasit me James Rodriguezin, por Juan Carlos, jo ish mbreti por portieri i Cordobas, mbylli mirë pasqyrën në minutën e 60-të. Në të 70-tën, Fidel bëri gjithcka mirë në zonë, goditi dhe Casillas nuk largoi sic duhet, Xisco nga dy hapa shënoi por goli i jetës e gjeti në pozicion jashtë loje. Falë flamurit të ngritur nga anësori, me të drejtë duhet thënë, Reali arriti të ruante epërsinë duke thelluar shifrat me një silur nga distanca të Cristiano Ronaldos.

Mbyllja e përsosur për një ndeshje jo dhe aq të përsosur, me një rezultat që ishte më i rëndë sec duhej për Cordobën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat