Amerikanët në Spanjë

Sporti

Amerikanët në Spanjë

Më: 25 gusht 2014 Në ora: 18:37

Vetëm pak ditë mungojnë nga starti i Kampionatit të 17 Botëror të basketbollit dhe në Spanjë, më saktë në Gran Canaria, më në fund zbarkoi edhe skuadra favorite e Shteteve të Bashkuara. Ekipi amerikan është kampioni në fuqi i këtij aktiviteti, megjithatë me vetëm një titull të fituar në katër edicionet e fundit. Talenti nuk i ka munguar kurrë këtij ekipi, sidoqoftë kohët ndryshojnë dhe këtë herë përfaqësuesja amerikane duhet të bëjë pa shumë yje, që ose janë dëmtuar ose kanë preferuar të përgatiten në mënyrën më të mirë të mundshme për sezonin e ardhshëm në NBA. Pikërisht për shkak të mungesave të shumta ekipi i Shteteve të Bashkuara kësaj radhe është i shtrënguar të heqë dorë nga talenti dhe ta bazojë lojën më së shumti në planin fizik. Nuk është se talenti i mungon lojtarëve të përzgjedhur por këtë herë duke pasur parasysh pikërisht aspektin fizik trajneri Mike Krzyzewski ka preferuar të grumbullojë 4 basketbollistë qendre, ndërsa çelësat e lojës “Coach K” ka vendosur t’ia japë yllit të ri, 21-vjecarit Anthony Davis që edicionin e kaluar u pozicionua i treti në renditjen e basketbollistëve që janë përmirësuar më shumë gjatë sezonit, në NBA. Trajneri me origjinë polake dhe menaxheri i skuadrës Jerry Colangelo preferuan ta çojnë në katër numrin e lojtarëve që luajnë në pozicionin e qendrës, me Anthony Davis, DeMarcus Cousins, Mason Plumlee si dhe basketbollistin që mbërriti i fundit Andre Drummond. Qendrat këto kohë duken si specie në zhdukje, por pikërisht te kjo katërshe pritet të bjerë pesha kryesore e përfaqësueses së Shteteve të Bashkuara, për të shkuar te medaljet e arta. Dyshja Krzyzewski – Colangelo ka ndërtuar në këtë mënyrë ekipin amerikan më fizik të të gjitha kohërave, me katër lojtarë mbi 208 centimetra. Ishin tre në Olimpiadën e Londrës dhe në botërorin e katër vjetëve më parë në Turqi, ndërsa vetëm dy qendra në vitin 2008, në Olimpiadën e Pekinit. Sigurisht plani fillestar ishte krejtësisht i ndryshëm dhe synohej versioni londinez, me vetëm një basketbollist shtatlartë në pesëshen titullare dhe me Kevin Durant finalizues, por kur MVP i sezonit të rregullt vendosi të tërhiqej në fillim të muajit gusht “Coach K” bashkë me menaxherin me origjinë italiane kaluan në planin B, duke e transformuar ekipin amerikan, nga një skuadër shtatshkurtër dhe të zhdërvjellët, në një ekip shtatlarte dhe të papërballueshëm brenda perimetrit. Jerry Colangelo deklaroi për rrjetin ESPN se kjo ishte dicka që nuk mund të bëhej dot në të kaluarën, por tani me një zgjedhje të tillë sipas tij ekipi amerikan nuk do të vuajë më me skuadrat shtatlarta, e këtu me shumë gjasa aludohet për ekipin e vendit organizator, Spanjën, që ka një sulm të frikshëm me tre lojtarë shtatlartë si dy vëllezërit Pau dhe Marc Gasol si dhe 24-vjeçarin me origjinë nga Kongo Serge Ibaka.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat