U hap kampi “Shkolla e hapur zbavitëse e futbollit”

Sporti

U hap kampi “Shkolla e hapur zbavitëse e futbollit”

Më: 25 gusht 2014 Në ora: 15:16

Ka filluar kampi veror sportiv “Shkolla e hapur zbavitëse e futbollit” (Open fun football schools), me një ceremoni në stadiumin “Riza Lushta”, buzë Ibrit, i cili po mbahet për herë të gjashtë. Në këtë kamp që do të zgjasë pesë ditë, do të marrin pjesë mbi 200 fëmijë të moshave të ndryshme.

Kampi i këtillë organizohet në 27 vendet të botës, në mesin e tyre është edhe Kosova. Në vendin tonë “Shkolla e hapur zbavitëse e futbollit”, zhvillohet edhe në pesë qytete të tjera. Projekti financohet nga shtetet skandinave, mbështetur edhe nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport dhe si synim ka shoqërimin, argëtimin dhe lojërat për fëmijë, në mënyrë të masivizohen aktivitetet e të rinjve që merren me sport.

Hapjen kampit e ka përshëndetur, drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport në komunën e Mitrovicës, Kujtim Isa, i cili ka thënë se është me rëndësi që fëmijët që janë e ardhmja e vendit, të merren sa më shumë me aktivitete sportive. Më tej, ai ka theksuar se me anë të trajnimeve në këtë kamp, fëmijët do të kenë mundësi të mësojnë më shumë për sportin, të shoqërohen me njëri-tjetrin dhe të zhvillojnë lojërat të ndryshme argëtuese.

Gjithashtu, Isa ka thënë se DKRS-ja, jo vetëm këtë aktivitet, por edhe aktivitetet tjera, që si qëllim kanë masivizimin e sporteve, do t’i mbështes në të ardhmen.

“Jam shumë i kënaqur që gjendem në mesin e juaj. Besoj që ju në këtë kamp do të kaloni shumë mirë”,ka thënë Isa.
Kurse, Veton Çitaku, instruktor i kampit sportiv, ka thënë se shkolla e hapur zbavitëse e futbollit”, që zhvillohet për herë të gjashtë në qytetin e Mitrovicës, është aktivitet në të cilin marrin pjesë fëmijët e moshave prej 6 deri 12 vjeç, të të dy gjinive dhe të gjitha përkatësive etnike.
“Gjatë këtij manifestimi sportiv do të zhvillohen disa stërvitje dhe ndeshje futbolli, përmes së cilave fëmijët argëtohen”, ka theksuar ai.

Hapjes së kampit më së shumti ju gëzuan fëmijët, të cilët kanë falënderuar të gjitha ata që kanë mundësuar që edhe këtë vit në Mitrovicë të organizohet ky kamp. A.M

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat