Ribery është i gatshëm kundër Stuttgartit!

Sporti

Ribery është i gatshëm kundër Stuttgartit!

Më: 25 gusht 2014 Në ora: 14:16

Mungesa e Franck Ribery pa dyshim se po reflektohet dukshëm te skuadra e Bayernit nga Munihut, gjë e cila u vërejt qysh në hapje të Bundesligës I. Bayerni para shikuesve të vet nëpër vrimë të gjilpërës realizoi fitore minimale me rezultat 2:1 kundër Wolfsburgut. Ribery shpreson se shumë shpejt do të jetë në fushë dha ta ndihmojë skuadrën e tij në misionin për mbrojtjen e titullit të kampionit gjerman. Futbollisti francez tha se është duke e marrë plotësisht veten nga lëndimi që pësoi në gju dhe shumë shpejtë do të jetë në formën e tij optimale. Sipas të gjithave gjasave ai do të mungojë edhe në derbin e fundjavës (më 29 gusht) kundër Schalkes, por shpreson se do të jetë në fushë ndaj Stuttgartit. Ribery pati humbur Kampionatin Botëror – ‘Brazili 2014’ për shkak të një problemi në shpinë u lëndua sërish në fazën përgatitore për sezonin e ri me Bayernin dhe mungoi në sfidën hapëse të Bundesligës. “Ndihem goxha mirë edhe pse ndiej ende dhimbje në gju. Rikuperimi im është në një stad të avancuar dhe çdo gjë është shumë më mirë se dhjetë ditë më parë. Shpresoj shumë që të rikthehem në stërvitje këtë të mërkurë. Është e vërtetë që nuk mund të jem i gatshëm për sfidën e kësaj fundjave me Schalken, por shpresoj që një gjë e tillë të ndodhë më 13 shtator në takimin ndaj Stuttgartit. Kam besim se do të jem në 100 përqind të formës time pas pauzës së kombëtareve”, tha futbollisti, i cili edicionin e kaluar pati 22 paraqitje dhe realizoi 10 gola në Bundesligë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat