Pezullohet kampionati algjerian

Sporti

Pezullohet kampionati algjerian

Më: 25 gusht 2014 Në ora: 13:41


Federata Algjeriane e Futbollit ka vendosur të pezullojë përkohësisht kampionatin vendas pas incidentit të rëndë në ndeshjen JS Kabylie-USM Alger, ku humbi jetën futbollisti kamerunas Albert Ebosse. 24-vjeçari nuk mundi t’u mbijetonte plagëve në kokë pas goditjes me sende të forta nga tifozët e skuadrës së tij, të cilët shfrynë dhunshëm pas humbjes 1:2 në shtëpi. Edhe pse Ebosse kishte mundur të shënonte golin e vetëm të Kabylie nga pika e bardhe e penalltisë, ai u bë shënjestër e tifozëve, që e goditën fatalisht në kokë. Në vendimin e marrë nga qeveria e futbollit algjerian thuhet se të gjitha ndeshjet e futbollit në ligat profesioniste dhe amatore të programuara për datat 29 dhe 30 Gusht do të shtyhen në një datë tjetër. Ky qëndrim është në homazh të Albert Abosse, që humbi jetën tragjikisht, por njëkohësisht është edhe një lloj proteste ndaj akteve të papërgjegjshme të disa fanatikëve dhe huliganëve të futbollit, që në mënyrë të vazhdueshme shkaktojnë dhunë në stadium. Federata Alegjeriane e Futbollit premtoi se në Asamblenë e Përgjithshme do të shohë mundësinë e marrjes së masave të forta për shmangien e dhunës ekstreme si dhe vendosi gjithashtu akordimin e 95 mijë eurove për familjen e Ebosse.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat