A e ka nisur Barcelona një cikël të ri?

Sporti

A e ka nisur Barcelona një cikël të ri?

Më: 25 gusht 2014 Në ora: 11:04


Barcelona e filloi me fitore bindëse edicionin e ri në Spanjë. Ekipi katalunas në Camp Nou e mposhti me rezultat 3:0 Elche-n, një fitore që kënaqi edhe vet trajnerin Luis Enrique. Barcelona së bashku me Real Madridin dhe Atletico Madridin, janë prej skuadrave që synojnë kreun e tabelës. Futbollistët e Barcelonës janë të etur për trofe, pasi që edicionin që shkoi mbete pa asnjë titull. Enrique ka besim të madh të bashkëlojtarët e tij sidomos të Lionel Messi që shënoi dy gola (42’ e 63’) dhe golin tjetër El Haddadi (46’). “Ndeshja u ndërlikua për ne në momentin që Mascherano u ndëshkua me karton të kuq (në minutën e 44’). Megjithatë, edhe pas atij momenti delikat ekipi e kuptoi se si duhet të vepronte dhe duke u tërhequr disa metra më pas arritëm ta menaxhonim shumë mirë takimin. Me këtë skuadër që kemi në dispozicion dhe me një Messi në formë si ndaj Elches unë mendoj se gjërat do të shkojnë shumë mirë për ne. Çfarë mund të them unë për Messin. Gjithmonë jam shprehur se ai është futbollisti më i mirë në botë në të gjitha aspektet”, tha Enrique, i cili beson se do të vazhdojnë me fitore të njëpasnjëshme dhe të tregojnë fuqinë e një skuadre të madhe. Enrique flet edhe për kapitenin Xavi Hernandez, i cili nuk luajti asnjë minutë në ballafaqim me Elchen si dhe për talentin e ri (18-vjeçarin) me origjinë marokene Munir El Haddadi. “Xavi? Nuk e di se çfarë do të ndodhë në një të ardhme të afërt me të. Gjithsesi dua të them që ai është një profesionist i vërtetë dhe di të pranojë bankën. Arsyeja që ndaj Elches nuk zbriti për asnjë minutë në fushë kishte të bënte edhe me faktin se Xavi nuk është ende në kondicionin më të mirë fizik për të luajtur një ndeshje. Sa i përket Munir, ai është një lojtar me një shpejtësi të jashtëzakonshme prandaj kundërshtarët e kanë shumë të vështirë për ta ndaluar. Ka kualitete të mëdha dhe unë besoj se do ta na ndihmojë shumë gjatë këtij sezoni, ashtu siç do të bëjnë edhe djemtë e tjerë që kanë ardhur nga akademia”, thotë Enrique. Me sfidën kundër Elches për Barcelonën ka nisur një cikël i ri? “Nuk e di se çfarë dëshironi të thoni me ka nisur një cikël i ri. Për ne sfida ndaj Elches ishte e rëndësishme pasi dëshironim të merrnim tre pikët dhe në çdo takim do të zbresim në fushë pikërisht për këtë gjë. Bëmë një debutim të bukur dhe duam të vazhdojmë kështu. Me afrimet që kanë ardhur nga afati kalimtar ekipi është rritur në sasi por edhe në cilësi. Besoj se me këtë grup futbollistësh mund të bëjmë gjëra të mëdha në këtë sezon”, ka thënë Enrique.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat