Kuka: Majlinda të hyj në zonën e luftërave për medalje

Sporti

Kuka: Majlinda të hyj në zonën e luftërave për medalje

Nga: Kemajl Goca Më: 25 gusht 2014 Në ora: 10:31

Dy trimëresha nga Kosova, dy xhudiste të shkathëta, kampionia e Evropës dhe e Botës, Majlinda Kelmendi (52 kg), si dhe Nora Gjakova (57 kg), e zhvilluan seancën e parë stërvitore në prag të dueleve në Kampionatin Botëror për seniorë në xhudo që do të zhvillohet (25-31 gusht) në Chelyabinsk të Rusisë. Driton Kuka, përzgjedhës i kombëtares së Kosovës, tha se ishte një seancë e lehtë stërvitore dhe flet edhe kundërshtaret që ka Majlinda dhe Nora. “Të dielën kemi pasur stërvitje të lehtë. Mendoj që po ndihen mirë garueset”, tha Kuka prej Chelyabinskit ekskluzivisht për gazetën kombëtare “Bota sot”. Majlinda Kelmendi është në grupin A dhe do të ndeshet me garuesen nga Venezuela, Vanessa Cortesia, ndërsa Nora Gjakova është në grupin B dhe sfidohet nga Loredana Ohai nga Rumania. Majlinda garon me 26 gusht, kurse Nora një ditë më vonë. Krenaria e sportit tonë, Majlinda, e cila udhëheq në të gjitha ranglistat botërore të xhudos, me gjithsej 3380 pikë, duket se nuk do ta ketë shumë vështirë në përballjen e parë ndaj venezuelianes. Majlinda është në grupin A, është bartëse, do të takohet me garuesen nga Venezuela, sa është vështirë? “Në Botëror është çdo luftë e vështirë, por për ne është më rëndësi që garueset tona të jenë në nivel”, tha Kuka. Ai shtoi: “Vanessa Cortesia? Realisht nuk është ndonjë garuese me emër, ndërsa pas saj do të janë sfidat e vështira”. Kuka e vlerësoi si short mjaft të vështirë për Norën. “Nora takohet me rumunen Ohai. Një garuese e shkëlqyeshme. Qysh në fillim do ta ketë vështirë”, tha Kuka. Si e vlerësoni shortin? “Shorti është mesatar, por ne jemi fokusuar të kryejmë punën tonë”, thotë ai. Përzgjedhësi u shpreh se janë adaptuar edhe me klimën ruse. “Besoj që po shkon mirë aklimatizimi me kohën”. Në bazë të shortit, a besoni se Majlinda do të jetë në finale pa problem dhe Nora sa më lartë? “Është më rëndësi që Majlinda të hyj në zonën e luftërave për medalje, mandej do të shohim. Por rruga për zonë të medaljeve është shumë e fortë. Majlinda dhe Nora janë mirë të përgatitura”, thotë Kuka. Majlinda dhe Nora apo ambasadoret tona mezi presin përballjen me rivalet. Dy xhudistet më të mira në vend janë të gatshme për sfidat.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat