Bundesliga, Dortmundi thyhet në 9 sekonda

Sporti

Bundesliga, Dortmundi thyhet në 9 sekonda

Më: 23 gusht 2014 Në ora: 21:44

Verdhezinjtë e Jurgen Klopp u munden 0-2 brenda në Signal-Iduna-Park nga ekipi i Bajerit të Leverkusenit.

Përpjekjet e drejtuesve të Borusias së Dortmundit për të shkurorëzuar rekordmenët e Bajernit të Mynihut pësuan një goditje të rëndë që në start, teksa verdhezinjtë e Jurgen Klopp u munden 0-2 brenda në Signal-Iduna-Park nga ekipi i Bajerit të Leverkuzenit. Pa u mbushur mirë me frymë, vendasit futën thellë në histori mesfushorin Karim Bellarabi i cili tundi rrjetën e australianit Langerak, pas vetëm 9” nga fillimi i lojës. Ky është absolutisht goli më i shpejtë në historinë e futbollit gjerman dhe përmirëson rekordin e mëparshëm me 11”, që ishte vendosur nga dyshja Giovane Elber – Ulf Kirsten, respektivisht në vitet 1998 e 2002.

Ekipi i Roger Schmidt pavarësisht impenjimit të mesjavës në Kopenhagen, në Champions, e nisi takimin në mënyrën më të mirë të mundshme, ndërsa më pas skuadra e Bajerit që edhe një vit më parë kishte fituar 0-1 brenda në Ëestfali, u mjaftua thjesht me administrimin e rezultatit. Sigurisht në një disfatë të tillë ndikuan ndjeshëm edhe mungesat e shumta të vendasve, që nuk kishin në dispozicion emra të tillë si Hummels, Gundogan, Schmelzer, Nuri Sahin, Ji Dong – Won, Blaszczykoëski dhe Adrian Ramos. Verdhezinjtë krijuan disa mundësi por dështuan në konkretizimin e tyre. Rastet e fundit për të ekuilibruar rezultatin u paraqitën në 89’ kur Ciro Immobile dështoi me kokë nga shumë pranë portës, ndërsa në 93’ Aubameyang u ndal sërish nga portieri mik Bernd Leno. Ndeshja ishte e barabartë me Borusian që u mundua të qarkullojë topin ndërsa aspirinat u mbështetën te arma e tyre më e fortë, kundërsulmi, e në fakt pikërisht nga një aksion i tillë futbollistët e Leverkuzenit shënuan edhe golin e sigurisë, që u realizua nga Stefan Kiessling në 95’. 30-vjecari bavarez duket se është në formën e tij më të mirë, teksa e mbylli javën e fundit me plot 7 gola të shënuar, pas 5 golave të realizuar në Kupën e Gjermanisë dhe 1 në Danimarkë.

Sezonin e shkuar Borusia e nisi kampionatin me plot 5 fitore radhazi, por këtë herë Dortmundi duhet të fillojë të ndjekë që në start. Kishte 3 sezone rresht kur verdhezinjtë fitonin ndeshjen hapëse, megjithatë në mënyrë kurioze dështimi i fundit ishte regjistruar më 22 gusht të vitit 2010, pikërisht nga Bajeri i Leverkuzenit, që asokohe nën drejtimin e trajnerit Jupp Heynckes fitonte me po të njëjtat shifra, falë golave të shënuar nga Barnetta dhe Renato Augusto.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat