Super Atletiko, mund Realin dhe fiton Superkupën

Sporti

Super Atletiko, mund Realin dhe fiton Superkupën

Më: 23 gusht 2014 Në ora: 03:03

Atletiko e Madridit fitoi Superkupën e Spanjës. “Los colchoneros” konfirmuan se në Spanjë janë të pathyeshëm për Realin, që humbi 1-0 në “Vincente Calderon” duke parë skuadrën e Simeones të ngrejë lartë trofeun sezonal. Një gol i kroatit Mario Mandzukic që në fillim i dha fitoren kampionëve të La Ligas, që lëshuan një sinjal të qartë për los blancos por dhe për Barcelonën, se këtë vit do të gabonin rëndë nëse do të bënin llogaritë për titullin pa ata. Skuadra e Ancelotti-t në ndryshim nga Atletico tregoi se nuk ka gjetur ende ritmin, dhe për më tepër ka humbur dhe Ronaldon, aq sa hyrja e tij në fushë dhe ndryshimi i pozicionit me James Rodriguez-in i hoqi rrezikshmërin dhe këtij të fundit, që kishte qenë më i miri për të tijtë në këtë ndeshje.

Se sa e dëshironte Atletiko këtë trofe e tregoi pas vetëm dy minutash, ku një gabim i francezit Varane lejoi kroatin Mandzukic të shënonte golin e tij të parë me “los colchoneros” për një fillim të pabesueshëm të sfidës.Reali e kishte të vështirë të kuptonte se cfarë kishte ndodhur dhe për minuta të tëra ndeshja u karakterizua nga ndërhyrjet e ashpra, aq sa Ramos e Mandzukic ju rikhthyen përplasjeve më njëri-tjetrin. Në të 21-tën, Miranda për pak sa nuk shënoi të dytin ndërsa në të 27-tën, Simeone humbi toruan duke goditur me pëllëmbë pas koke gjyqtarin në shenjë proteste për ndërhyrjet aggressive të los blancos. Gjest që e detyroi të lërë stolin. Reali, që deri në ato momente kishte rrezikuar pak u zgjua nga James Rodriguez, që me kokë kërkoi barazimin por nuk e gjeti për cështje centimetrash. Pak centimetra ndan gjithashtu nga rrjeta dhe goditjen e Bale dy minuta më pas. Goli ishte pranë dhe në fundin e pjesës së parë kur Raul Garcia nuk gjeti dot kuadratin për Atletikon duke cuar skuadrat në dhomat e zhveshjes me rezultatin e minutës së dytë.

Ashtu si filloi pjesa e parë, për pak sa nuk nisi dhe e dyta, me Raul Garcian që fitoi duelin me Coentraon por jo me Casillasin që zgjati dorën duke devijuar topin drejt shtyllës. Dhe hyrja e Ronaldos nuk po I jepte Realit shpejtësinë për të cilën kishte nevojë, madje në të 57-të, Raul Garcia përkëdheli sërish shtyllën e Casillasit. Vendasve ja bëri gjërat më të thjeshta dhe vetë Reali, që nuk ishte asnjëherë I rrezikshëm në portën e Moyas, aq sa Ronaldo u duk sikur shëtiste fanellën në fushë. Atletiko që është mjeshtre e menaxhit të të tilla situatave e coi ndeshjen drejt fundit në avantazh për t’i lejuar kapitenit Gabi të marr ndër duar trofeun e Superkupës së Spanjës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat