Bayern Munich starton me fitore

Sporti

Bayern Munich starton me fitore

Më: 22 gusht 2014 Në ora: 22:48

Bayern Munich e ka nisur me fitore sezonin e ri në Bundesligë pasi mposhti Wolfsburgun me rezultat 2:1. Në këtë ndeshje është inkuadruar edhe Xherdan Shaqiri.

Kampionët e Gjermanisë fituan 2-1 me Wolfsburgun në ndeshjen hapëse të kampionatit gjerman për këtë sezon, ku përveç tre golave të mrekullueshëm spikati dhe rasti i humbur nga futbollsti i Wolfburgut, Malanda, që me siguri do të cilësohet dhe si shpërdorimi i vitit.

Pavarësisht atmosferës elektrizuese fillimi i ndeshjes ishte disi i ngadaltë me skuadrat që u përpoqën të kuptonin qëllimet e njëra-tjetrës, aq sa goditja e parë drejt portës erdhi në të 18-të dhe kishte si sipërmarrës Arjen Robben. Robert Lewandowski që i kishte shënuar Wolfsburgut gjatë trofeut “Telekom”, u përpoq të bënte të njëjtën gjë dhe në të 29-tën por u ndal nga Gruen. Sfida mes të dyjave u shndërrua në personale aq sa vetëm pak sekonda më pas, Lewandowski realizoi një goditje për manualët e futbollit por në mënyrë po aq të jashtëzakonshme u përgjigj dhe portieri i miqve. Robben që ishte një frymëzim me top në këmbë ofroi pasimin e duhur në të 37-tën për Mullerin që nuk fali.
Kaq mjaftoi për pjesën e parë ndërsa fillimi i së dytës ishte menjëherë zjarr me Lewandowskin e Robbenin, që realizuan një mur të shkëlqyer mes tyre për të dërguar në gol holandezin.

Bayerni u duk sikur e kishte mbyllur ndeshjen, por harroi se në fushë ishte Ivica Olic, që e njeh mirë këtë skuadër. Pikërisht sulmuesi kroat i dha shpresë miqve të Heckingut pesë minuta më pas.

Bayerni kaloi në panik ndërsa Wolfsburg fitoi më shumë besim duke parë më shumë drejt portës së Neuerit, përjashto Malandën, që me rastin e humbur në minutën e 79-të me siguri nuk e kishte parë se ku ishte kuadrati i portës.

Dieter Heckingut nuk i mbeti gjë tjetër veçse të vendosë duart në kokë. Dhe goli I anuluar për Bayernin në të 84-trën dhe rasti i shpërdoruar i Robbenit në të 90- nuk i shërbyen për gjë trajnerit të miqve, që u detyrua të dalë nga “Allianz Arena” me kokën lart por duart bosh, pasi pikët në fund i mori Bayerni falë dhe Malandës sigurisht.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat