A ka rezistencë për Khediran?

Sporti

A ka rezistencë për Khediran?

Më: 22 gusht 2014 Në ora: 15:25


Deklarata e Carlo Ancelottit se Sami Khedira ka kërkuar largimin nga Reali i Madridit ka ngritur në këmbë drejtuesit e Manchester United. Në Old Trafford aktualisht po shikohet mundësia e një goditje të dyfishtë, duke shkëputur nga Los Blancos dy super lojtarë njëkohësisht, siç janë Angel Di Maria dhe Sami Khedira. Për argjentinasin në fakt flitet prej kohësh se kërkohet nga Van Gaal, ndërsa interesimi për mesfushorin gjerman është një lajm më vete. Pas disfatës në ndeshjen e parë të Premier League, trajneri i Manchester Utd kërkon me çdo kusht përforcime, ndërkohë që klubi ndodhet nën presion të jashtëzakonshëm nga tifozeria për merkaton e dobët. Nëse për Di Marian, Los Blancos po bëjnë çmos për ta mbajtur në Bernabeu, për Khediran nuk ka rezistencë dhe për më tepër që gjermanit i skadon kontrata vitin e ardhshëm. Gjithsesi Djajtë e Kuq nuk janë të vetëm në garë, pasi në gjurmët e 27-vjeçarit janë edhe Arsenali, Chelsea e së fundi edhe Bayerni i Munihut. Për të mos rrezikuar humbjen me kosto zero, çmimi që Reali ka vendosur për një lojtar të kalibrit të Khediras është vërtet me leverdi. Nëse Van Gaal do t’i shkojë deri në fund misionit për ta marrë në Old Trafford, 8 milionë paund është shuma që duhet të shkojë në llogaritë e madrilenëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat