Fillon Bundesliga, Bayern-Wolfsburg ngre siparin

Sporti

Fillon Bundesliga, Bayern-Wolfsburg ngre siparin

Më: 22 gusht 2014 Në ora: 09:05

Prej kohësh nuk mbahej mend që Bundesliga të startonte kaq vonë në kohë, megjithatë ankthi dhe përgatitjet marrin fund e tashmë është momenti për të parë në veprim gjithë protagonistët e edicionit të 52 të kampionatit gjerman. Nuk mund të ndodhte ndryshe dhe privilegjin për të çelur sezonin e kanë pikërisht kampionët në fuqi. Bayern Mynich do të nisë mbrojtjen e titullit në “Allianz-Arena” ndaj Wolfsburgut, skuadër të cilën një sezon më parë në takimin korrespondues e mundën me shumë vështirësi, falë një goli të Thomas Muller, ndërsa në fazën e dytë e shkatërruan 6-1, takim ky ku Thomas Muller dhe Mario Mandzukic shënuan nga dy gola secili. Natyrisht bavarezët janë favoritë absolutë për të regjistruar suksesin e tretë radhazi në Bundesliga, që do të ishte njëkohësisht edhe titulli i 4 për ta në 6 edicionet e fundit, sidoqoftë ato dy trofe që mungojnë janë fituar nga Borusia e Dortmundit dhe verdhezinjtë e Jurgen Klopp edhe këtë sezon përbëjnë kundërshtarin e vetëm të denjë në gjendje për t’i rivalizuar në kampionat. Përballë tyre qëndron një ekip si Wolfsburgu, ndaj të cilit rekordmenët e Gjermanisë kanë fituar plot 19 nga 20 takimet e luajtur në Mynih, me një golavarazh 53-12.

Të vetmin rezultat pozitiv “ujqërit” e kanë regjistruar katër vjet përpara se të ndërtohej stadiumi aktual dhe asokohe në “Olympiastadion” gjithçka u mbyll në barazim 3-3, me protagonist për Bayernin e drejtuar nga Ottmar Hitzfeld sulmuesin peruan Claudio Pizarro, që pothuajse 36-vjeçar vazhdon të bëjë pjesë ende në gjirin e kampionëve. Guardiola do të ketë probleme në formacion me emra të tillë si Schweinsteiger, Thiago Alcantara, Javi Martinez e Jerome Boateng jashtë. Ky i fundit ndryshe nga të tjerët nuk është në dispozicion për arsye skualifikimi, ndërkaq me dyshim është francezi Franck Ribery. Duke patur parasysh kontigjentin e dy skuadrave sigurisht më i penalizuar është ekipi i Wolfsburgut, tek i cili do të mungojnë Ivan Perisic, Christian Trasch, Patrick Ochs, Felipe Lopes madje edhe vetë portieri Diego Benaglio, ndërsa përforcimi më i fundit, sulmuesi danez Nicklas Bendtner është në dyshim. Kampionët e vitit 2009 të cilët sezonin e kaluar u renditën në vendin e pestë, vetëm 1 pikë larg zonës Champions, nuk njohin humbje në pesë takimet e fundit jashtë fushës së tyre, gjithsesi në Mynih pritet të luajnë Olic, një ish, De Bruyne, Maximilian Arnold si dhe blerja më e re Aaron Hunt, ndërsa trajneri spanjoll pritet të rreshtojë në 11-shin fillestar emra të tillë si Shaqiri, Lahm, Rode, Bernat, Muller, Gotze si dhe sulmuesin polak Robert Lewandowski, që do të bëjë zyrtarisht debutimin në kampionat me fanellën e Bayernit. Trajneri Dieter Hecking ka pësuar 10 humbje ndaj Bayernit, në karrierë, sidoqoftë 49-vjeçari nga Ruhri ia ka dalë mbanë të fitojë brenda në “Allianz Arena” me Hanoverin 1-0 në vitin 2006. Bayerni ka fituar plot 30 nga 49 ndeshjet hapëse të Bundesligës, një më shumë sesa Schalke dhe Dortmund, ndërsa vjet më 9 Gusht, në debutim bavarezët fituan 3-1 ndaj Gladbach-ut.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat