Atletico-Real, akti i dytë i Superkupës

Sporti

Atletico-Real, akti i dytë i Superkupës

Më: 22 gusht 2014 Në ora: 09:04

Dy skuadrat më të famshme të kryeqytetit spanjoll Real dhe Atletico i rikthehen sërish Superkupës së Spanjës, trofeut të parë sezonal në vendin iberik. Vetëm tre ditë pas takimit të vajtjes radhën tashmë e ka sfida e kthimit, dhe klubi mbretëror është i shtrënguar të bëjë më mirë sesa rezultati 1-1 i ndeshjes së parë. Futbollistët e Realit dolën të frustruar nga sfida hapëse pavarësisht se e zotëruan topin për plot 70% të kohës. Dihet një ndeshje nuk mund të fitohet thjesht me qarkullim topi, nëse më pas nuk e dërgon sferën aty ku duhet. Në mënyrë paradoksale ishin “los colchoneros” ata që u treguan më efikasë, madje duke iu referuar statistikave në sfidën e parë ishin pikërisht futbollistët e Simeones ata që goditën më shumë herë kuadratin. Pas ndeshjes ishin të shumtë ata që rendën me shpejtësi për të kritikuar stilin e lojës së përdorur nga 44-vjeçari nga Buenos Airesi, megjithatë në Spanjë kjo është një sëmundje shumë e vjetër dhe drejtuesit e Realit në këtë pikë nuk po bëjnë gjë tjetër përveçse po imitojnë rivalët e përjetshëm të Barcelonës.

Në vendin iberik tashmë fenomeni Atletico është shndërruar në realitet dhe falë mënyrës së lojës, stilit, taktikës efikase, kolektivitetit dhe harmonisë në ekip apo qoftë edhe lojës fizike gati – gati në limit, bardhekuqtë konfirmojnë se në këtë sport paratë nuk janë gjithçka. Me një administrim për t’u marrë shembull dhe tepër të zgjuar drejtuesit e Atleticos ia kanë dalë mbanë për të gjunjëzuar dy gjigantët e futbollit spanjoll Real e Barcelona. Kështu jo rastësisht Barça nuk fiton prej 6 ndeshjesh ndaj tyre, por po e njëjta gjë mund të thuhet edhe për Realin e Ancelottit që nuk i mund rivalët e Madridit në tre përballjet e fundit, duke iu referuar kuptohet 90’ të kohës së rregullt, pasi në Lisbonë, në finalen e Championsit gjithsesi “mbretërorët” kaluan në epërsi kur nevojiteshin vetëm 10’ për të shkuar te 11-metërshat. Kur James Rodriguez përshëndeti rrjetën në 81’ të gjithë menduan se Atletico aq e pat por një gol i mesfushorit Raul Garcia 2’ para fundit bën që bardhekuqve në ndeshjen e të Premtes t’iu mjaftojë për të mos pësuar gol, thjesht kaq. Armët e tyre të forta janë kundërzbritjet e shpejta dhe goditjet standarte. Funksionoi në ndeshjen e fundit dhe ka funksionuar edhe më parë, kështuqë nuk ka asnjë arsye përse Diego Simeone të dëgjojë kritikët dhe të ndryshojë strategji.

Në krahun tjetër në pamje të parë Reali ngjan vërtet me një ekip spektakolar, por deri më tani skuadra merengues ka fituar vetëm 1 nga 6 ndeshjet e këtij fillim sezoni, atë ndaj Seviljes në Superkupën Europiane. Gjithçka mund të justifikohet me lodhjen e Botërorit apo dhe për shkak të ngarkesës fizike të marrë gjatë fazës përgatitore, gjithsesi detyra më e vështirë e trajnerit italian është ekuilibri në skuadër, mes reparteve. Në ndeshjen e parë James u la në stol dhe kolumbiani zbriti në fushë për shkak të dëmtimit të Cristiano Ronaldos. Lojtari më i mirë në botë i vitit të kaluar vazhdon të vuajë problemet fizike të kohëve të fundit, sidoqoftë në konferencën për shtyp 55-vjeçari emilian siguroi se CR7 do të jetë titullar, pasi është stërvitur normalisht si gjithë të tjerët, në një kohë kur problemi i vetëm i Simeones në krahun tjetër është turku Arda Turan. Testi më i vështirë paraqitet për mbrojtjen, repart ku drejtuesit e Realit ndihen të sigurt, megjithatë gjithçka mbetet për t’u parë me një modul kaq ofensiv, dhe një skuadër të orientuar vazhdimisht drejt sulmit për më tepër duke ruajtur gjatë kontrollin e topit ekipi rrezikon të kapet në befasi dhe të mos shfrytëzojë dot kundërzbritjet e shpejta.

Di Maria kërkon të largohet drejt Manchester United dhe të njëjtin itinerar mund të përshkojë nga sezoni i ardhshëm gjithashtu edhe Cristiano, ndërkaq me kokëfortësi është insistuar nga drejtuesit për të fuqizuar ekipin nga mesfusha e sipër dhe është lënë mënjanë mbrojtja, por nuk do të ishte aspak çudi që me një konkurrencë kaq të madhe të përsëritej në mënyrë identike e njëjta situatë si 11 vjet më parë kur një Real i mbushur plot yje dështoi në gjithçka. 12 muaj më parë Atletico e humbi këtë trofe ndaj Barcelonës thjesht për efekt të rregullit të golit në fushë kundërshtare e po me këtë rregull të artë Reali fitoi titullin e fundit në këtë aktivitet 2 vjet më parë, pikërisht ndaj katalanasve. Përsa i përket Atleticos bardhekuqtë janë mundur në 4 pjesëmarrjet e fundit në këtë kompeticion dhe nuk e fitojnë Superkupën e Spanjës prej tre dekadash, praktikisht që nga viti i largët 1985 kur mundën Barçën me rezultatin e përgjithshëm 3-2. Takimi do të luhet në orën 22:30 në “Vicente Calderon” dhe këtë herë nuk do të jetë më një katalanas por Federata Spanjolle i ka ngarkuar gjykimin e ndeshjes një arbitri nga Andaluzia, 41-vjeçarit Fernandez Borbalan.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat