Partizani, prezantohen Fazliu e Osmanaj

Sporti

Partizani, prezantohen Fazliu e Osmanaj

Më: 22 gusht 2014 Në ora: 09:03

Partizani është gati për startin e sezonit të ri. Gjatë kësaj të Enjteje klubi i kuq në praninë e trajnerit Shpëtim Duro prezantoi dy blerjet më të fundit, Astrit Fazliun dhe Liridon Osmanaj, që pritet të jenë një vlerë e shtuar në skuadrën e ndërtuar nga Shpëtim Duro në këtë sezon. Sulmuesi kosovar i afruar nga Shkëndija pranoi se ishte një këmbëngulje e trajnerit ajo që e bindi të vishte fanellën e Partizanit.

“Jam tepër i lumtur që jam pjesë e këtij klubi. Këtu kam gjetur disa prej miqve të mi me të cilët kam luajtur edhe më parë, kështu që edhe ambientimi im këtu nuk do të jetë aspak problem. Partizani për mua nuk është aspak i panjohur pasi është një emër i madh në kampionatin shqiptar. Tifozët e këtij klubi janë të shumtë dhe tepër të zjarrtë në mbështetje të ekipit. Shpresoj që me golat e mi të ndihmoj ekipin në arritjen e objektivave.”

Fazliu e nisi me gol aventurën e tij të kuqe, teksa shënoi në ndeshjen miqësore ndaj Kamzës. Këtë vit pesha e sulmit të skuadrës do të bie mbi shpatullat e tij. 27-vjeçari nuk është një ndër ata që tërhiqet përpara sfidave dhe pse për të më shumë rëndësi kanë fitoret e skuadrës sesa sukseset individuale.
I kënaqur për zgjedhjen e bërë u shpreh dhe Liridon Osmanaj i ardhur nga kampionati slloven. 22-vjeçari theksoi se Partizani është një skuadër me cilësi.

“Do të jetë eksperienca ime e parë në kampionatin shqiptar. Nuk e pata të vështirë të vendosja për Partizanin pasi vetë emri i këtij klubi ishte zgjedhja ime primare. Shpresoj të arrij formën time maksimale dhe pse jo pas Partizanit nëse do të më jepet mundësia të jap kontributin tim dhe me Kombëtaren e Shqipërisë.”

15 herë kampionët e vendit ndeshjen e parë në kampionat do ta luajnë ndaj Laçit të Sielën në orën 17:00.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat