Fitore për Porton, Maribor-Celtic mbyllet 1-1

Sporti

Fitore për Porton, Maribor-Celtic mbyllet 1-1

Më: 21 gusht 2014 Në ora: 00:11

Skuadra portugeze, e pranishme cdo vit në turneun e kampionëve regjistroi një fitore të rëndë në Francë.

Porto hodhi një hap të rëndësishëm drejt fazës së grupeve të Uefa Champions League duke i treguar Lille se përvoja vlen shumë në këtë kompeticion. Skuadra portugeze, e pranishme cdo vit në turneun e kampionëve regjistroi një fitore të rëndë në Francë. Në një përballje emocionuese me mundësi shënimi nga të dyja krahët, u nevojit hyrja në fushë e spanjollit Tello, që ndryshoi lojën e Portos, aq sa në minutën e 61-të erdhi dhe goli i epërsisë me Herreran.

Lille rriti presionin duke krijuar madje dhe raste të mira për shënim por nuk gjeti dot fundin e rrjetës dhe pas një jave në “Odragao” Porto do të ketë një avantazh të madh për të siguruar kualifikimin mes 32 më të mirave të kontinentit. Celtic që hyri në play-off vetëm si pasojë e pezullimit të Legia Varshavës tani e gjen veten shumë pranë fazës së grupeve të Champions pas barazimit 1-1 në Slloveni me Maribor. Skocezët u treguan të shpejtë teksa shënuan me Mcgregor që në minutën e 6-të.

Maribor megjithatë nuk qëndroi për shumë kohë pas, teksa në të 15-ën barazoi me Bohar.

Celtic ishte më kërkues në pjesën e mbetur të takimit por nuk arriti të shënojë dot golin e fitores, që do t’i kishte dhënë më shumë qetësi për kthimin. Zeniti Shën Petërburgut gjithashtu është me një këmbë në raundin tjetër pasi fitoi 1-0 në transfertë ndaj belgëve të Standart Liege. Golin e fitores për ekipin rus e shënoi Shatov në minutën e 16-të. Në sfidën mes Aalborg dhe APOEL Nicosia danezët e nisën shumë mirë ndeshjen teksa zhbllokuan rezultatin që në minutën e 16-të me anë të Thelander. Pavarësisht dominimit të tyre, golin e shënuan miqtë e Apoelit, që në goditjen e parë në portë në minutën e 54-t barazuan rezultatin me Vinicius.

Kundërshtari i Skënderbeut, Bate Borisov, hodhi një hap të rëndësishëm drejt kualifikimit pasi barazoi në transfertën sllovake me Slovan Bratislava. Jablonsky në të 44-ën befasoi vendasit me golin e epërsisë ndërsa në pjesën e dytë bjellorusët patën më shumë se një rast për të mbyllur takimin por nuk e bënë dicka të tillë duke lejuar Slovan të barazojë në të 80-ën me Vittek. Vendasit shpërthyen në festë dhe në minutën e 85-të, por goli i tyre ishte i pavlefshëm. Gjithcka u mbyll 1-1 dhe pas një jave Bate do të ketë në favor golin ne fushë kundërshtare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat