Vangjeli: Rikthimet rrisin cilësinë e Superiores

Sporti

Vangjeli: Rikthimet rrisin cilësinë e Superiores

Më: 21 gusht 2014 Në ora: 00:10

29-vjeçari shpreh kënaqësinë e tij për debutimin në Kategorinë Superiore.

Pas triumfit në Superkupë, Skënderbeu rikthen vëmendjen në startin e kampionatit, në sfidën ndaj Elbasanit. Përballja që do të zhvillohet në “Qemal Stafa” për shkak se stadiumi “Elbasan Arena” ende nuk është gati, do të sjellë edhe debutimin e ish- mbrojtësit të Kombëtares Shqiptare, Kristi Vangjeli. 29-vjeçari shpreh kënaqësinë e tij për debutimin në Kategorinë Superiore, duke shpresuar që të vijë me një fitore të Skënderbeu-t.

“Është një kënaqësi debutimi në Kategorinë Superiore dhe shpresoj që ndeshja e parë të sjellë fitoren”.

Pavarësisht se është afrimi i verës, Vangjeli e di shumë mirë se cili është objektivi i skuadrës, që në 4 vitet e fundit ka fituar titullin kampion.

“Jemi ekipi kampion dhe duhet të punojmë fortë e me këmbë në tokë që të fitojmë sërish titullin”.

Vangjeli nuk është i vetmi futbollist i Kombëtares i rikthyer në Kampionatin Shqiptar, pasi rrugën e tij e kanë ndjekur edhe Bulku, Curri, Bakaj dhe Vila. Mbrojtësi i krahut të djathtë mendon se kjo është diçka e mirë për Kampionatin dhe pritet të rrisë nivelin e tij.

“Rikthimet janë diçka e mirë për Kampionatin, pasi rritet cilësia në fushë dhe shpresojmë të dëfrejmë edhe tifozët në stadiume”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat